PS-ja kërkon masë disiplinore për 26 deputetë për bllokim Kuvendi/ Berisha: Nuk ka më tërheqje!

vovalbania October 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
PS-ja kërkon masë disiplinore për 26 deputetë për bllokim Kuvendi/ Berisha: Nuk ka më tërheqje!

Maxhoranca kërkon masë disiplinore për deputetët e opozitës që sot penguan seancën plenare. Socialistët presin mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën lidhur me vlerësimin e masës disiplinore për 26 emra, mes tyre Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Gazment Bardhi, Edmond Spaho, Saimir Korreshi. Seanca u shty, pasi salla u bllokua nga ish-kryeministri Berisha dhe deputetët që e mbështesin. Berisha tha se “sot nisin qëndresën permanente”.

Deputetët e opozitës përmbysën karriget e ministrave, ndërsa ish-kryeministri Berisha doli live në “Facebook” e nga foltorja tha se “nuk lejojnë më që Kuvendi të jetë institucion vasal i Edi Ramës”. Kjo bëri që nënkryetarja Ermonela Felaj të njoftonte shtyrjen e seancës plenare e socialistët dolën jashtë. Edhe pse u fikën dritat e sallës, demokratët vazhduan të qëndronin në errësirë. Për mediat, Berisha deklaroi se nuk ka kthim pas.

Me herët, zyra për shtyp e Kuvendit njoftoi:

Në pamundësi për zhvillimin normal të seancës plenare, për shkak se deputetë të opozitës bllokuan hyrjen në sallë, vendin ku ulet Kryetarja e Kuvendit dhe kabineti qeveritar, si dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, nënkryetarja e Kuvendit,  Ermonela (Felaj) Valikaj në cilësinë e drejtueses së seancës njoftoi shtyrjen e saj.

Deputetët e opozitës nuk lejuan fillimin normal të punimeve të seancës plenare të Kuvendit, pasi bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe kryetarja e Parlamentit. Ky reagim i deputetëve të opozitës vjen edhe se sipas tyre, “maxhoranca socialiste nuk ka lejuar ngritjen e komisioneve hetimore e përfaqësimin e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi ndaj bllokimit të seancës, si dhe deklaratave të Sali Berishës për nisjen e qëndresës.

Pasi iu sulën me revan e yrysh, me kazma e qysqi shtëpisë së tyre, sot aradha e mbetur e opozitës pa kokë, tentoi pushtimin e sallës së Kuvendit, asaj që duhej të ishte shtëpia e popullit.

Zunë karriget në tryezën e qeverisë, si dëshmi e dëshirës së papërmbajtur për pushtet pa votë, dhe folën nga errësira me fjalë të zeza. Për çudi ekstremet puqen: si Biri ashtu dhe Ati. Dje, mbas çdo humbjeje, Luli thoshte: Beteja sapo ka filluar. Sot Saliu, i humbur pa filluar ende, thotë: tani nisi qëndresa! Aferim e Selam në udhën e qorrollepsjes në terr!

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65845 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE