Sulm me sëpatë në Korçë, dy të plagosur!
Sulm në Pazarin e Korçës, dy të plagosur. Mësohet se një grua u sulmua nga një 36-vjeçar i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Gjatë konfliktit një qytetar tjetër u mundua ta largonte agresorin, por mbeti i plagosur.
Me një sëpatë në dorë ai nisi të godiste gruan 52-vjeçare, e cila shiste pranë një dyqani në zonë. Sipas një dëshmitareje në vendin e ngjarjes, autori e goditi disa herë me sëpatë gruan, ndërsa këtë të fundit e përshkroi si person shumë të mirë dhe e respektueshme. Dëshmitarja tregon se kjo skenë ishte tepër e frikshme.
Këtu isha unë, ajo ishte atje, ai erdhi me sëpatë, vajti deri tek ky stoli, po më dridhet trupi nuk flas dot. I hyri me sëpatë, ajo ngriti duart thirri: ua ua ua dhe ra poshtë. Ai vetëm e godiste me sëpatë. Nuk pati asnjë sherr, asnjë konflikt. Ai erdhi me sëpatë, pastaj nuk e pashë sepse u bënë kapicë.
Gruan e njoh, është shumë e mirë, shet këtu. Na ka respektuar sa s’ka. Më pas i erdhi i shoqi dhe u bë kapicë, nuk pashë më se çfarë u bë. Ai ishte i droguar thoshin dhe iku me vrap. Unë kam përpirë barkun, po më dridhen këmbët, po më shpifet dhe në gjumë do të më dalë. Ajo po rrinte tek dyqani, ndërsa ai e ndoqi, tek stoli ajo u pengua dhe ai i ra me sëpatë. Filloi të ulërinte, pastaj i doli i shoqi.