”Maratona e Tiranës”, policia bashkiake: Nëse keni parkuar automjetet në këto rrugë, duhet t’i hiqni!
Kryeqyteti po bëhet gati për ‘Maratonën e Tiranës’! Për t’i lënë vendin ‘pistës’ për vrapuesit, qarkullimi i automjeteve do të devijohet përgjatë dy ditëve në vijimin, ndërsa do të bëhet dhe heqja e automjeteve të parkuara përgjatë perimetrit të garës.
Në funksion të sigurisë, Bashkia Tiranë ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore , ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet, duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.
Bashkia e Tiranës dhe policia bashkiake kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve që këto dy ditë të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private dhe të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore , në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.
Gjithashtu, u kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve që të mos parkojnë automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës dhe të heqin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara , nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore.