A duhet t’i lyeni flokët gjatë shtatzënisë? Ja çfarë duhet të dini
Duket se ka një listë të shumë gjërave që gratë duhet të bëjnë apo të mos bëjnë gjatë muajve të pritjes së ëmbël
Nënat e ardhshme përpiqen të shmangin disa ushqime të caktuara, ilaçe që mund të dëmtojnë fetusin, por çfarë ndodh me lyerjen e flokëve?
“Pothuajse të gjitha bojërat e flokëve përmbajnë kimikate si amoniak, peroksid dhe parafenilendiaminë (PPD). Disa nëna në pritje janë të shqetësuara pasi nuk e dinë nëse këto kimikate do të depërtojnë në lëkurën e kokës dhe do të ndikojnë negativisht tek fëmija në rritje,” thotë mjekja obstetre-gjinekologe, Danielle Levy.
Por a mund t’i lyeni flokët kur jeni shtatzënë? “Përgjigja e shkurtër është po,” thotë Levy, shkruan Usa Today.
Studimet tregojnë se lyerja e flokëve gjatë shtatzënisë është e sigurt për fetusin në zhvillim, kjo sipas NHS (Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar). Një artikull i botuar në revistën mjekësore Canadian Family Physician thotë se kimikatet e bojës së flokëve përthithen shumë pak nga lëkura dhe nuk ka gjasa që kjo të ndikojë negativisht në fetus.
“Nëse doni të jeni tepër të kujdesshme, gjithmonë mund të prisni derisa të përfundojë tremujori i parë,” shton mjekja.
Tremujori i parë është një periudhë kritike për rritjen dhe zhvillimin sepse është koha kur formohen organet kryesore të fetusit.
Çfarë ndodh me nënat që janë shumë të frikësuara?
Ka gjithmonë një zgjidhje! Një opsion është të ndryshoni mënyrën si aplikoni bojën e flokëve. Mund të lyeni majat ose flokët që janë më larg skalpit, thonë mjekët.
Një opsion i dytë është të ndryshoni llojin e bojës së flokëve që përdorni. Një bojë me bazë bimore ose pa amoniak redukton ekspozimin ndaj kimikateve të caktuara teksa jeni shtatzënë, citon Anabel.
“Për sa kohë që trajtimi apo lyerja e flokëve nuk shkakton reaksion, si alergji apo astmë te nëna, atëherë fëmija do të jetë mirë,” përfundon Levy.