Takimi Von der Leyen-Vuçiç në Beograd/ Presidentja e KE-së: Serbia t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese!

vovalbania October 31, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Takimi Von der Leyen-Vuçiç në Beograd/ Presidentja e KE-së: Serbia t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Serbisë që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani mes saj dhe Kosovës.

Gjatë një vizite në Beograd këtë të martë, Leyen në konferencën për media pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, u shpreh se sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm.

Ndër të tjera ajo shtoi se autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi, ndër të tjera u shpreh se është vendimtare që të dyja palët të angazhohen dhe të ndjekin rrugën e normalizimit.

Von der Leyen theksoi se është e rëndësishme që Serbia të mbështesë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe që Kosova ta zbatojë atë.

“Përveç kësaj, Serbia duhet të fillojë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbasë kohë për këtë”, tha ajo.

E pyetur se si mund të kërkohet nga Serbia që ta njohë de fakto Kosovën, nëse pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Leyen deklaroi se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Një ditë më parë gjatë vizitës në Prishtinë, presidentja e KE-së nënvizoi se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia de fakto ta njohë Kosovën.

Ajo shpjegoi në Beograd se Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve të Kosovës nga Serbia, teksa shtoi se në anën tjetër, përkon edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën Kosova duhet ta zbatojë.

“Kjo do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane”, tha ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës dhe ritheksoi se vendi i tij e ka të qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës.

“Dhe këtë e kam thënë pafundësisht dhe nuk është e vështirë për mua dhe nuk më vjen turp, jam krenar që e them para presidentes së KE-së. Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato. Ai qëndrim i Serbisë nuk ndryshon”, tha Vuçiç.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiç tha se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bazë e mirë për bisedime, por se ai nuk mund të flasë për hollësitë e draftit që ka marrë.

Sipas tij për momentin ka dy pengesa kryesore në rrugën e Serbisë drejt BE-së janë sanksionet ndaj Rusisë dhe marrëdhënia me Prishtinën. Serbia nuk iu bashkua politikës së jashtme të BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës.

Pas takimit me presidenten e KE-së, Vuçiç-i shkroi në rrjetin social Instagram se atë po e pret një ditë e tërë bisedimesh.

“Në të cilën do t’ia shpreh të gjitha llojet e mirënjohjes BE-së për ndihmën dhe mbështetjen që na ka dhënë, me shpresën se Serbia do të ketë forcën për t’i përmbushur detyrimet e saj të anëtarësimit dhe të bëhet pjesë e familjes së kombeve evropiane”, shkroi lideri serb.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE