Trafik narkotikësh në Norvegji, SPAK dërgon për gjykim tre të dyshuar!
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 132 të vitit 2019, duke dërguar për gjykim më datë 31.10.2023 disa të pandehur.
SPAK dërgoi për gjykim:
Flori Pali, i akuzuar për veprat penale:
– “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se njëherë, parashikuar nga neni 283 paragrafi 2 dhe neni 28 pika 4 të Kodit Penal;
– “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se njëherë, parashikuar nga neni 283/a paragrafi 2 dhe neni 28 pika 4 të Kodit Penal;
– “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, paragrafi 1, gërmat “a”, “b” dhe “c” dhe paragrafi 4, gërmat “c”, “ç” e “d” , si dhe neni 28, pika 4 të Kodit Penal;
– “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, organizimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 1 të Kodit Penal;
– “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334 pika 1 të Kodit Penal.Anita Adilaj, akuzuar për veprat penale:
– “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283 paragrafi 1 dhe neni 28 pika 4 të Kodit Penal;
– “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1 gërmat “a”, dhe “b” dhe paragrafi 4 gërmat “c”, “ç” e “d” , si dhe neni 28 pika 4 të Kodit Penal;
– “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 i Kodit Penal;
– “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334 pika 1 të Kodit Penal;Fredi Pali, akuzuar për veprat penale:
– “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1 gërmat “a”, “b” e “c” dhe paragrafi 4 gërmat “ç” e “d” , si dhe neni 28 pika 4 të Kodit Penal;
– “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 i Kodit Penal;
– “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334 pika 1 të Kodit Penal;Ky procedim penal është hetuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Norvegjisë.
Nga hetimi është evidentuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal i dedikuar në fushën e trafikimit, shitjes, ofrimit për shitje, dhënies ose marrjes në çdo formë, shpërndarjes, tregtimit, transportimit, dërgimit, dorëzimit dhe mbajtjes së narkotikëve, si dhe në pastrimin e produkteve të veprës penale para vitit 2018 dhe deri në vitin 2019 , në përbërje të të cilit spikasin shtetas shqiptarë rezidentë apo jo në Norvegji.
Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Flori Pali në cilësinë e një organizatori të një grupi të strukturuar kriminal gjatë periudhës kohore Janar 2018 deri në Qershor 2019, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar në Mbretërinë e Norvegjisë Halit Xhini dhe Steven Cooper, si dhe të një rrjeti shpërndarësish të paidentifikuar, në mënyrë të kundërligjshme ka drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme në Stavanger të Norvegjisë të paktën sasinë prej 4 kg kokainë dhe 10 kg marjuanë, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
I pandehuri Flori Pali duke qenë në rolin e një drejtuesi të grupit të strukturuar kriminal, ka organizuar transferimin e sasive të konsiderueshme parash nga Norvegjia për në Shqipëri si para vitit 2018, ashtu dhe pas këtij viti me ndihmën e një rrjeti personash, para që transferoheshin ose nëpërmjet shoqërive të ndryshme financiare, ose sillnin “cash” nga shtetas të ndryshëm, ku më pas menaxhoheshin nga i bashkëpandehuri Fredi Pali.
E pandehura Anita Adilaj në vazhdimësi është e përfshirë në tregtinë e drogës në Stavanger të Norvegjisë, si dhe ka patur një rol kyç edhe sa i takon dërgimit të parave nga Norvegjia për në Shqipëri, para këto të ardhura nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Norvegji nga grupi i strukturuar kriminal.
Kjo e pandehur ka luajtur rolin e llogaritares së të dënuarit në Norvegji, bashkëjetuesit të saj Halit Xhini, në lidhje me paratë që i dërgoheshin të pandehurit Flori Pali dhe detyrimet që kishin ndaj tij.
I pandehuri Fredi Pali ka luajtur rolin e menaxhuesit të parave apo pasurive të fshehura të të pandehurit Flori Pali, në lidhje me paratë e dërguar nga anëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal apo shtetas të tjerë nga Norvegjia.
I pandehuri Fredi Pali, vëllai i të pandehurit Flori Palit, ka kryer një rol të rëndësishëm në ciklin e qarkullimit të parasë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe fshehjen e tyre.
Më datë 08.05.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sør-Rogaland, Norvegji, ka deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal Halit Xhini dhe Steven Cooper për vepra penale në lidhje me narkotikët dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Hetimet paraprake në lidhje me procedimin penal nr.132 të vitit 2019 janë drejtuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe oficerët e shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.