Presidenti amerikan, Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas!
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se duhet të ketë një “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas, pasi fjalimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor u ndërpre mbrëmë nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.
Mendoj se na duhet një pauzë!
Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrim, pasi gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme, Biden e bashkëpunëtorët e tij ishin të palëkundur në deklaratat se “nuk do të diktojnë si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake” në përgjigje të sulmit të 7 tetorit nga militantët palestinezë të Hamasit.
Por, presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga liderët botërorë, si edhe nga anëtarët më liberalë të partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gaza janë ndëshkim kolektiv e se është koha për një armëpushim.
Biden i bëri presion kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu që palestinezëve t’iu ofrojë të paktën një pushim të shkurtër nga operacioni i vazhdueshëm ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur dhe e ka zhytur Rripin e Gazës në një katastrofë humanitare.
Shtëpia e Bardhë refuzon që të bëjë thirrje për armëpushim, por ka sinjalizuar se izraelitët duhet ta shqyrtojnë mundësinë e një pauze humanitare për të lejuar civilët që të marrin ndihmë e që shtetasit e huaj në Gaza, të largohen nga ky territor.
Trupat tokësore izraelite kanë përparuar në afërsi të qytetit të Gazës, në kohën kur janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët. Ndërkaq, qindra shtetas të huaj e dhjetëra palestinezë të plagosur rëndë u lejuan që të largohen nga Gaza për në Egjipt, pas më shumë se tre javësh nën rrethim.
Presidenti amerikan ishte duke folur në një tubim në Mineapolis, kur një grua bërtiti:
Zoti President, nëse ta ndjen për popullin hebre, unë po ju kërkoj që të bëni thirrje për armëpushim!
Pjesëmarrja e presidentit në këtë tubim zgjedhor shtyu mbi 1 mijë persona që të organizonin një protestë në këtë qytet, duke bërë thirrje për armëpushim në Gaza.
Biden tha se i kupton emocionet që kanë nxitur qytetarët të protestojnë. Ai deklaroi se pauza “nënkupton që të jepet kohë që të burgosurit të dalin jashtë”. Më pas, Shtëpia e Bardhë sqaroi se Biden e kishte fjalën për pengjet dhe ndihmën humanitare.