Efekti pozitiv i ninullave në zhvillimin gjuhësor të foshnjave tuaj…
Hulumtimet e reja tregojnë se këngët që prindërit ua këndojnë foshnjave dhe mënyra se si ato reagojnë ndaj ritmeve të ndryshme, kanë një ndikim në zhvillimin e tyre gjuhësor. Muzika luan një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të njerëzve që në moshë të re. Studiuesit nga Universiteti i Vjenës kanë hulumtuar se si reagojnë të porsalindurit ndaj ritmeve të ndryshme të këngëve që prindërit ua këndojnë atyre dhe çfarë pasojash ka perceptimi dhe përpunimi i këtyre ritmeve në zhvillimin e gjuhës.
Gjatë hulumtimit, nënat u kënduan dy këngë të njohura për fëmijë foshnjave të tyre shtatëmuajshe; një ninullë dhe një këngë gazmore. Aktiviteti i trurit të të porsalindurve u mat me elektroencefalografi (EEG). Janë vërejtur edhe lëvizjet ritmike të foshnjave si përshembull lëkundjet. Kur këta fëmijë mbushën 20 muaj, prindërit u pyetën për fjalorin e fëmijëve të tyre përmes një pyetësori.
Rezultatet treguan se ishte më e lehtë për foshnjat të ndiqnin ninullën. Megjithatë, ata shfaqën më shumë lëvizje ritmike teksa dëgjonin këngë të gëzuara. Është interesante se vetëm këngët gazmore në kombinim me lëvizjet ritmike ndikojnë pozitivisht në fjalorin e fëmijëve në moshën 20-muajshe. Hulumtimet e mëtejshme do të përqendrohen në zhvillimin e më shumë programeve të ndërhyrjes që synojnë përmirësimin e ndërveprimit muzikor midis prindërve dhe foshnjave dhe zhvillimin e tyre njohës dhe gjuhësor.
Truri i fëmijës zhvillohet gradualisht në të ashtuquajturën periudhë kritike. E para shfaqet rreth vitit të dytë të jetës, ndërsa e dyta fillon gjatë adoleshencës. Në fillim të këtyre periudhave, numri i lidhjeve sinapse midis qelizave të trurit dyfishohen. 2-vjeçarët kanë dyfish më shumë sinapse se të rriturit. Meqenëse mësimi zhvillohet në këto sinapse midis qelizave të tryrit, dy herë më shumë sinapsa i mundësojnë trurit që të mësojë më shpejt se në cilindo moment tjetër të jetës. Prandaj përvojat në këtë periudhë ndikojnë në afat të gjatë në zhvillimin e fëmijës.