Nga kënga e re e deri tek profesioni i saj, rrëfehet Xhesika Polo: “Dua të jem e qetë…”
E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtarja e njohur Xhesika Polo. Ajo ka publikuar së fundmi këngën e saj më të re që mban titullin “Mos luj”. Ky projekt e ka sjellë Xhesikën pak më ndryshe nga sa e kemi parë shpesh me ato baladat aq melankolike, përkundrazi, “Mos luj” të sjell ndërmend ritmet verore. Këngëtarja na ka folur më shumë lidhur me këtë projekt të ri të saj, si dhe për hapin e radhës…
Çfarë mund të na thuash për “Mos luj”, si erdhi kjo këngë?
I kthejmë vetes ato ndjesi të bukura që kemi marrë në verë, ato ndjesi moskokëçarëse. Erdhi shumë natyrshëm. Këtë verë kam pasur shumë koncerte në shesh dhe më mungonin këngët që i bëjnë njerëzit për të kërcyer.
Kam një proces të çuditshëm pune. Mund të bëj 1000 demo dhe i lë aty. Unë kisha për të bërë një këngë komplet tjetër, por pastaj vendosëm të bënim këtë këngë “Mos luj”.
A është i vështirë profesioni yt si këngëtare?
Për profesionin që kam, nuk është aq e vështirë sa një punë 8 orarëshe. Jetoj mirë. Dua të jem e qetë, të kem shtëpinë time, makinën time, të bëj profesionin tim dhe të udhëtoj një herë në dy muaj. (qesh)
Çfarë kënge të re kemi së shpejti nga ty?
E kam bërë këngën e radhës. E ka shkruar Alban Ramosaj dhe Ronela Hajati. Klipin e ka bërë djali që ka bërë dhe “Humba veten” dhe “Mos luj”. Do të quhet “Fallxhorja”…