Përmbytjet në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj apelon për kujdes të shtuar!
Tirana është mes qyteteve të vendit që orët e fundit është përfshirë nga moti i keq, me shira intensivë. Nga reshjet e dendura janë përmbytur rrugë të kryeqytetit, duke krijuar kaos. Në pamjet e sjella nga Top Channel, shihet uji që ka vërshuar në rrugë, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve. Eshtë krijuar trafik e ka përmbytje në banesa dhe biznese.
Kryebashkiaku Erion Veliaj paralajmëron për kujdes të shtuar. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:
KUJDES – MOT I RËNDUAR
Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciaran që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës.
Ju lutem tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet! Ekipet tona janë aktualisht në terren për çdo emergjencë. Ndihmoni fqinjët e moshuar në rast nevoje. Mirënjohje për mirëkuptimin!
Tel: 112 për emergjencat.
#Bashkë, pa panik e me solidaritet
Një efektiv i Policisë Rrugore Tiranë, zyrtarisht u raportua si i lënduar nga pasojat e motit. 37-vjeçari mori dëmtime në kokë, pasi u godit nga një objekt i shkëputur si pasojë e shirave, në zonën pranë Pallatit me Shigjeta.
Njoftimi zyrtar:
Më datë 03.11.2023, rreth orës 13:00, në afërsi të pallatit me shigjeta, si pasojë e rreshjeve, është shkëputur një objekt dhe ka dëmtuar në kokë shtetasin M.Xh., 37 vjeç, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore, i planëzuar me shërbim.
Shtetasi M. Xh. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC thekson se “siguria është prioritare”. AKMC jep numrin e emergjencave:
Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale.
Në kohët e sfidave, ndihma ndaj njëri-tjetrit është thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment.