“Shuplaka” nga Angelina Jolie: Liderët botërorë bashkëpjesëmarrës në krimet në Gaza!
Nuk ndalet Angelina Jolie. Ylli i Hollivudit, shumë aktive në kauzat humanitare, e cila ka shërbyer edhe si ambasadore e vullnetit të mirë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk është kursyer ndaj Izraelit e liderëve botërorë. Jolie reagoi ndaj sulmit izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza dhe bëri thirrje për armëpushim.
Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj një komuniteti të robëruar që nuk ka ku të ikë. Në 20 vitet e fundit, Gaza ka qenë një burg i hapur dhe me shpejtësi, sot po kthehet në një varr masiv.
Aktorja e famshme, e njohur edhe si regjisore, nuk ka lënë pa fshikulluar udhëheqësit globalë, të cilët i akuzon për qëndrim indiferent:
Bota bën sehir dhe me mbështetjen aktive të shumë shteteve, miliona civilë palestinezë po ndëshkohen masivisht, ndërsa iu mohohen ushqimet, ilaçet e ndihma humanitare, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Duke refuzuar kërkesat për një armëpushim humanitar dhe duke penguar Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të vendosë një armëpushim midis të dyja palëve, liderët botërorë janë bashkëpunëtorë në këto krime!
Kohët e fundit po rritet presioni ndaj administratës Biden, që të bëjë më shumë për zbutjen e katastrofës humanitare në Gaza. Mes 9 mijë viktimave palestineze, afro 4 mijë janë fëmijë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhet në Izrael për të bërë presion që më shumë ndihma humanitare të lejohen të hyjnë në Gaza. Kjo në kohën kur trupat izraelite kanë forcuar rrethimin e qytetit më të madh të Rripit të Gazës, për ta fokusuar fushatën në shtypjen e grupit militant Hamas, që drejton këtë enklavë.
Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael, që nga sulmi i Hamasit. Pas Tel Avivit, zyrtari i lartë do të shkojë në Aman të Jordanisë dhe vizita e kryediplomatit pason sugjerimin e presidentit amerikan, Joe Biden për një “pauzë” humanitare të luftimeve.