Tërmet në Nepal, afro 130 viktima!

vovalbania November 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tërmet në Nepal, afro 130 viktima!

Një tërmet me magnitudë 5.6 Rihter goditi Nepalin veriperëndimor duke u ndjerë edhe në Indinë fqinje. Raportohen rreth 130 viktima e të paktën 150 të plagosur, por numri pritet që të rritet më tej. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara raporton se tërmeti e kishte epiqendrën në një thellësi prej 17.9 kilometrash pranë qytetit malor Jumla, rreth 400 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Nepalit, Katmandu.

Distriktet e Jajarkotit dhe Rukumit Perëndimor, në perëndim të vendit e në afërsi të epiqendrës ishin më të dëmtuarit. Ekipet e shpëtimit ende vijojnë me kërkimet, veçanërisht në disa fshatra të thella ku komunikimet janë ndërprerë për shumë orë. Sipas Qendrës Kombëtare Sizmologjike të Nepalit, lëkundja  u regjistrua në orën 23:47 me atë lokale.

Vetëm në Jajarkot u raportuan 92 viktima, mes tyre nënkryetarja e Bashkisë së Nalgadit, Sarita Singh, si dhe 55 të plagosur, disa prej të cilëve u transportuan në spitale më të pajisura me aparatura mjekësore, në qytetet e afërta. Të tjerë u dërguan në institucionet shëndetësore lokale. Në Rukumin Perëndimor pati 36 viktima e 85 të plagosur. Disa qytete të vogla si Aathbiskot, Sanibheri, Bheri, Nalgad, Kushe, Barekot dhe Chedagad, gjithashtu u prekën. Të gjitha forcat e sigurisë janë përfshirë në operacione për të nxjerrë njerëz nga rrënojat.

“Kryeministri Pushpa Kamal Dahal shprehu dhimbjen e tij të thellë për humbjen e jetëve në tërmetin e mbrëmjes së djeshme, si dhe mobilizoi të gjitha agjencitë e sigurisë për shpëtim e ndihmë të menjëhershme”. Kështu shkruhej në një postim në rrjetet sociale nga zyra e shefit të qeverisë nepaleze.

Tërmeti i vitit 2015

Tërmetet janë fenomene të shpeshta në Nepal, një vend që ndodhet në pjesën ku takohen pllakat tektonike tibetiane e indiane dhe çdo shekull ato afrohen dy metra drejt njëra-tjetrës, duke shkaktuar presionin që lëshohet në formën e një tërmeti. Në vitin 2015, një tërmet me magnitudë 7.8 dhe lëkundjet pasuese në aktivitetin sizmik që vijoi, vranë rreth 9 mijë njerëz.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65211 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE