Gaza/ Spitalet operojnë në kushte të tmerrshme, operacione me elektrik dore dhe pa anestezi!

vovalbania November 10, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Gaza/ Spitalet operojnë në kushte të tmerrshme, operacione me elektrik dore dhe pa anestezi!

Spitalet në Rripin e Gazës të cilat prej 35 ditësh ndodhen nën bombardime intensive dhe bllokadën totale të Izraelit, përpiqen të vazhdojnë operacionet dhe shërbimet e trajtimit me metoda primitive për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Pengesa e plotë për dërgimin e karburantit në Gaza që nga 7 tetori kur ushtria izraelite filloi sulmet e saj, i ka lënë spitalet në errësirë. Ekipet shëndetësore në spitalin Al-Quds të lidhur me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze në Gaza, punojnë me burime minimale për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike si pasojë e mbarimit të karburantit.

Nëpër sallat e operacionit të zhytura në errësirë, mjekët kryejnë operacione nën dritën e elektrikëve të dorës, si dhe pa anestezi.

“Ndonjëherë ne u japim disa prej tyre garzë sterile (për ta kafshuar) për të zvogëluar dhimbjen,” tha infermieri i spitalit Al Shifa Abu Emad Hassanein.

“Ne e dimë se dhimbja që ata ndjejnë është më shumë se sa dikush do ta imagjinonte, përtej asaj që dikush në moshën e tyre do të duronte,” tha ai, duke iu referuar fëmijëve.

Sipas informacioneve të transmetuara nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze lidhur me situatën e fundit në spitale thuhet se “ka kërcënim në rritje që spitali të ndërpresë të gjitha aktivitetet brenda disa orësh për shkak të mbarimit të karburantit”.

Personeli spitalor, pavarësisht ndërprerjes së komunikimit dhe internetit që vazhdon prej tre ditësh, po bën përpjekje intensive në mënyrë që spitali të vazhdojë të ofrojë shërbime. Spitali prej 5 ditësh është nën izolim pasi të gjitha rrugët që çojnë drejt tij janë të mbyllura për shkak të bombardimeve në rrethinat e tij.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 18 spitale dhe 46 qendra shëndetësore kanë mbetur jashtë shërbimit si pasojë e sulmeve izraelite. Zyrtarët paralajmërojnë se krahas ndërprerjeve në njësitë e tjera, mbi 3 mijë fëmijë mund të privohen nga shërbimet e dializës dhe onkologjisë.

Për shkak të sulmeve izraelite, 50 mijë gra shtatzëna janë privuar nga kujdesi dhe ndjekja e procesit të lindjes për një periudhë prej më shumë se një muaj.

Ushtria izraelite goditi spitalin Al-Shifa, objekti më i madh shëndetësor në Gaza ku ndodhen mijëra të plagosur dhe civilë, të spitalit të fëmijëve Al-Nasr, Al-Ahli Baptist, të spitaleve të miqësisë Türkiye-Palestinë si dhe zonat përreth spitalet Al-Quds dhe Indonezian të lidhura me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze. Në sulme u vranë dhe u plagosën qindra palestinezë.

Numri total i palestinezëve të vrarë në Gaza është rritur në 11,078. Bëhet e ditur se në mesin e viktimave janë edhe 4,506 fëmijë. Shumë prej vendeve europiane po bëjnë thirrje për pauza më të gjata humanitare, në mënyrë që civilët të kenë mundësi t’i shpëtojnë sulmeve izraelite në Gaza.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65790 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE