Lufta ruse, rreth 5 milion të zhvendosur brenda Ukrainës!
Rreth pesë milion njerëz në Ukrainë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në të tjera pjesë të vendit dhe kjo për shkak të sulmeve shumëvjeçare ruse. Të dhënat janë zyrtare.
Në televizionin shtetëror ukrainas, zv.kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereschuk, bëri të ditur se 4.9 milion njerëz janë regjistruar si të zhvendosur brenda vendit.
Afro 3.5 milion vetë u zhvendosën brenda Ukrainës që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj, në shkurt të vitit të kaluar.
Para pushtimit, më shumë se një milion njerëz u zhvendosën brenda Ukrainës që nga 2014-ta, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës. Në atë kohë, forcat e udhëhequra nga Rusia morën nën kontroll pjesë të rajoneve të Donjeckut e Luhanskut.
Kohët e fundit, nuk ka patur lëvizje të mëdha të njerëzve. Disa prej të zhvendosurve janë kthyer në shtëpitë e veta gjatë periudhës gusht-nëntor.
Kjo lidhet me zhvillimet e gjendjes ushtarake në terren, ku frontet në lindje dhe në jug, kryesisht kanë mbetur të pandryshueshme. Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, rreth 6.2 milion ukrainas kanë ikur jashtë vendit qoftë përkohësisht apo përherë.
Para fillimit të luftës më 2022-shin, Ukraina kishte një popullsi prej rreth 41.4 milion banorësh. Ushtria e Ukrainës raporton se në lindje dhe në jug të vendit, situata “mbetet e vështirë”. Në këtë kuadër përmendi sulmet e shpeshta ajrore dhe raketore ruse, dje në ditën kur Ukraina shënoi përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit strategjik, Herson. Po ashtu, dje vonë u raportua se forcat ukrainase çliruan edhe fshatin Topoli në rajonin e Harkivit, rreth pesë kilometra larg kufirit rus.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës bëri të ditur se një ditë më parë, forcat ruse kryen 41 sulme ajrore dhe hodhën 44 raketa kundër “pozicioneve të trupave të Kievit, si dhe pjesëve të populluara”, duke goditur objektet e banimit e zonat infrastrukturore.
Fatkeqësisht, ka vikima e të plagosur në mesin e civilëve. Situata operacionale në lindje dhe në jug të Ukrainës mbetet e vështirë.
Ushtria shtoi se gjatë ditës së djeshme, Forcat Ajrore Ukrainase kryen 10 sulme në “vendndodhjet e personelit, armëve e pajisjeve ushtarake të armikut”, duke shkatërruar një sistem rus të raketave kundërajrore S-400.
Forcat Ajrore lëshuan një alarm për sulme me dronë gjatë natës e njoftuan se forcat mbrojtëse shkatërruan dronë në rajonet Dniprepertovski, Harkiv, Mikolaiv, Poltava e Kiev. Në Telegram, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, shkroi se sistemet kundërajrore u aktivizuan dhe se civilët duhet të strehohen. Nuk u raportua për të lënduar.
Alarmi u lëshua në kohën kur Ukraina po shënonte përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit jugor, Herson, qendra e vetme administrative rajonale e kapur nga forcat ruse gjatë pushtimit që Moska nisi në shkurt të vitit të kaluar.