Më 28 Nëntor, “Parada e shqiptarëve” në kryeqytet/Veliaj: Krenar që për herë të parë mbahet në Tiranë!
Për herë të parë, në Tiranë vjen “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti do të zhvillohet në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor, në bashkëpunim me “Albanian Roots”. Kryebashkiaku Erion Veliaj i ftoi të gjithë të bashkohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Veliaj tregoi se këtë vit është menduar të organizojnë diçka krejt të veçantë, që do të mbahet mend gjatë, duke e kthyer Ditën e Pavarësisë në një festë plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit.
Këtë 28 Nëntor ne, shqiptarët, festojmë 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Është një nga ato ditë kur dritaret e shtëpive tona skuqen nga flamujt kuqezi, kur zemra e çdo shqiptari rreh njësoj, dhe secili prej nesh ka dëshirë ta thotë me zë të lartë: “O sa mirë me qenë Shqiptar”! E ku ka më bukur se sa Ditën e Flamurit ta festojmë të gjithë bashkë, këtu, në Tiranë! Prandaj, këtë vit, kemi menduar të organizojmë diçka krejt të veçantë, që do ta mbajmë mend gjatë.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, m’u në zemër të kryeqendrës së shqiptarëve, vjen “Parada e Shqiptarëve” – një festë e paharruar për Ditën e Pavarësisë, plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë.
Po ashtu, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që siç tha, kjo paradë e jashtëzakonshme do të mbahet në Tiranën e transformuar vitet e fundit.
Tirana do të mirëpresë krahëhapur, me këngë e valle, çdo shqiptar që ka dëshirë të na bashkohet në festën tonë të madhe. Por, kam edhe një falenderim për “Rrënjët shqiptare”, që pas 15 vitesh organizimi në New York, e riktheu Paradën aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipërinë tonë, në kryeqytetin e shqiptarëve! Mezi pres t’ju takoj të gjithëve në Tiranë në 28 Nëntor!