Raphael Dwamena humbi jetën në fushë, FSHF: U respektua rregullorja!

vovalbania November 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Raphael Dwamena humbi jetën në fushë, FSHF: U respektua rregullorja!

Në një reagim për mediat për vdekjen në fushë të futbollistit, Raphael Dwamena, Federata Shqiptare e Futbollit,  shkruan se gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani janë respektuar të gjitha rregullat.

Në takimin e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës është respektuar me rigorozitet rregullorja e garës. Në gatishmëri ka qenë një ambulancë e pajisur me defribilator dhe të gjitha aparaturat e nevojshme mjekësore, si edhe dy doktorë. Futbollistit i është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë në fushë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore.

Më tej, FSHF sjell disa shembuj të tjerë kur në radhët e futbollistëve apo tifozëve, janë raportuar problemeve shëndetësore në stadium.

Në ndeshjen e dy javëve më parë, Skënderbeu-Egnatia, stafi mjekësor dhe ambulanca kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë një tifozi që kishte probleme shëndetësore, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar më pas në spital. Ndeshja është ndërprerë për 15 minuta dhe vetëm pas kthimit të ambulancës në stadium, delegati ka pranuar që loja të rifillojë.

Në ndeshjen Tirana-Laçi të kampionatit të moshave U17 të datës 10.11.2023 është ndërprerë loja në minutën e 25-të për 30 minuta pasi është dëmtuar një lojtar i Tiranës në kokë. Është dashur ndërhyrja e ambulancës për ta transportuar në spital dhe vetëm pas kthimit të ambulancës dhe stafit mjekësor ka vazhduar loja.

Në Kategorinë e Dytë, ndeshja Adriatiku-KKS Albanët e datës 28.10.2023 nuk është zhvilluar, pasi ekipi KKS Albanët nuk kishte mjek.

Në Kategorinë e Parë, ndeshja e datës 6 nëntor mes Tomorrit dhe Burrelit është ndërprerë pasi është dërguar në spital një lojtar i Burrelit pas dëmtimit në kokë dhe më pas sërish ka rifilluar me rikthimin e stafit mjekësorë dhe ambulancës.

Raphael Dwamena, futbollisti ganez i Egnatias, ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, rrugës për në spitalin e Durrësit, pasi pësoi atak në zemër gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit. Një problem i paralajmëruar për të, por mesa duket vetë ganezi shtatlartë vendosi të marrë përsipër riskun, në një lojë me jetën. Në kontrollet mjekësore kur në vitin 2019 duhej të kalonte te Brighton në Premier League, u zbulua se vuante nga një problem në zemër, për të cilin iu vendos defribrilator, aparat që e mbajti për disa kohë dhe më pas e hoqi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE