Rusia nuk ndalet, intensifikon sulmet ajrore në lindje e në jug të Izraelit!
Ushtria e Ukrainës raporton se në lindje dhe në jug të vendit, situata “mbetet e vështirë”. Në këtë kuadër përmendi sulmet e shpeshta ajrore dhe raketore ruse, dje në ditën kur Ukraina shënoi përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit strategjik, Herson. Po ashtu, dje vonë u raportua se forcat ukrainase çliruan edhe fshatin Topoli në rajonin e Harkivit, rreth pesë kilometra larg kufirit rus.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës bëri të ditur se një ditë më parë, forcat ruse kryen 41 sulme ajrore dhe hodhën 44 raketa kundër “pozicioneve të trupave të Kievit, si dhe pjesëve të populluara”, duke goditur objektet e banimit e zonat infrastrukturore.
Fatkeqësisht, ka vikima e të plagosur në mesin e civilëve. Situata operacionale në lindje dhe në jug të Ukrainës mbetet e vështirë.
Ushtria shtoi se gjatë ditës së djeshme, Forcat Ajrore Ukrainase kryen 10 sulme në “vendndodhjet e personelit, armëve e pajisjeve ushtarake të armikut”, duke shkatërruar një sistem rus të raketave kundërajrore S-400.
Forcat Ajrore lëshuan një alarm për sulme me dronë gjatë natës e njoftuan se forcat mbrojtëse shkatërruan dronë në rajonet Dniprepertovski, Harkiv, Mikolaiv, Poltava e Kiev. Në Telegram, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, shkroi se sistemet kundërajrore u aktivizuan dhe se civilët duhet të strehohen. Nuk u raportua për të lënduar.
Alarmi u lëshua në kohën kur Ukraina po shënonte përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit jugor, Herson, qendra e vetme administrative rajonale e kapur nga forcat ruse gjatë pushtimit që Moska nisi në shkurt të vitit të kaluar.
Siç dihet, Rusia ka intensifikuar bombardimet në portet e Ukrainës, përfshirë Odesën, si edhe në infrastrukturën e depove të drithërave. Këtë e bëri që nga koha kur Moska u tërhoq nga marrëveshja e Detit të Zi për drithërat, e arritur gjatë luftës, për të mundësuar eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.
Prej fillimit të luftës ruse në Ukrainë, me pretendimin për ta çmilitarizuar vendin fqinj, janë shënuar viktima e të plagosur dhe dëme kolosale në infrastrukturë. Miliona vetë u detyruan të zhvendosen. Moska flet për operacion special ushtarak e shmang përdorimin e fjalës luftë. Perëndimi e ka sanksionuar Rusinë.