Rama: Buxheti i ri garanton librat falas për 231 mijë nxënës!
Kryeministri Edi Rama njofton se me buxhetin e ri të vitit 2024, do të garantohen librat falas për 231 mijë nxënës
Rama shkruan në rrjetet sociale se librat do të garantohen për nxënësit nga klasa e parë në të nëntën.
Qeveria ka projektuar vijimin e reformës së pagave për punonjësit e administratës publike. Vitin e ardhshëm mbi 77 mijë punonjës do të përfitojnë sipas strategjisë së afatmesme buxhetore, ndërsa shuma e caktuar për këtë rritje është 11 miliardë lekë apo 110 milionë euro.
Kryeministri Rama në rrjete sociale bëri me dije se nga viti i ardhshëm rritja e pagave do të përfshijë 14 207 infermierë. Sipas shefit të ekzekutivit për këtë kategori rritja do të jetë me 15 mijë lekë. Përveç infermierëve, në sistemin shëndetësor, rritja pritet të përfshijë edhe mjekët e përgjithshëm.
Më herët kryeministri ka lajmëruar edhe rritjen e pagave për 30 mijë mësues, ndërsa pritet që reforma të përfshijë edhe policët, ushtarakët dhe nivele zbatuese në administratë qendrore dhe vendore. Rritja e pagave për këto kategori shkojnë nga 23 – 36%, ndërsa më pas vijnë edhe shtesat për vjetërsi apo vështirësi pune.
Synimi i reformës është që në administratë të mos ketë paga më të ulëta se 50 mijë lekë, ndërsa mesatarja të arrijë në 900 euro, duke u bërë kështu të parët në rajon dhe në total do të harxhohen 39 miliardë lekë apo 390 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Gjatë këtij viti rritja e pagave ndodhi për institucionet qendrore buxhetore të përshtatura me koeficentin e ri të pagës së presidentit. Rritja e pagave pritet të japë një ndikim edhe në skemën e pensioneve, ku gjatë këtij viti qeveria arriti të kursejë rreth 15 miliardë lekë apo 150 milionë euro nga mbledhja e më shumë kontributeve për sigurimet shoqërore.