BE-ja nuk do të përmbushë synimin për të furnizuar Ukrainën me 1 milion predha!
Bashkimi Europian nuk do të arrijë të përmbushë synimin për të furnizuar Ukrainën me 1 milion predha artilerie dhe raketa deri në mars të vitit të ardhshëm. Kështu tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Teksa ka mbërritur në takimin e ministrave të Mbrojtjes së BE-së në Bruksel, gjithashtu ai kritikoi vendosjen e këtij synimi në mars të këtij viti, në një afat prej 12 muajsh.
Këto komente paraqesin pranimin e parë publik nga një ministër i lartë në Bashkimin e Europian se synimi nuk do të përmbushej, megjithëse rreth këtij synimi diplomatët dhe zyrtarët kanë shprehur skepticizëm prej muajsh të tërë.
Synimi ishte vendosur si përgjigje e nevojës urgjente dhe të vazhdueshme të Ukrainës për predha artilerie prej 155 milimetrash. Ato janë bërë element kyç për Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus.
Unë nuk i premtova 1 milion predha dhe ky ishte synim. Pyetja që do të duhej bërë ishte nëse 1 milion predha ishte synim realist. Kishte zëra që paralajmëronin: Më mirë tregoni kujdes se është e lehtë të thuhet 1 milion. Paratë janë në dispozicion, por prodhimi duhet të jetë atje.
Sipas ministrit gjerman, këto paralajmërime janë vërtetuar “fatkeqësisht”.
Eshtë e sigurt të supozohet se 1 milion predha nuk do të arrihen.
Disa zyrtarë kanë thënë se industria europiane nuk kishte kapacitete prodhuese për të përmbushur këtë synim. Por, disa të tjerë kanë mbështetur vendosjen e një objektivi ambicioz që inkurajonte vendet të bënin porosi, si dhe kompanitë që të investonin në rritjen e kapaciteteve.
Ministrat e tjerë që mbërritën nuk e kundërshtuan ministrin gjerman.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku kishte siguruar më shumë se 300 mijë predha artilerie e raketa sipas pjesës së parë të skemës, e cila përfshinte shtetet anëtare të BE-së që dërgonin nga rezervat e tyre.
Tani, fokusi është në elementin e dytë të skemës. Vendet e BE-së porosisin predha të reja nga industria, me një nismë të përbashkët prokurimi.
BE-ja po përpiqej të arrinte një kuptim më të mirë se sa predha do të jepnin.
Eshtë një bashkëveprim mes industrisë dhe vendeve anëtare. Puna është në proces.