Korrik-shtator 2023,1066 lindje më shumë se vdekje!
Tremujori i tretë i këtij viti ka shënuar 1066 lindje më shumë se vdekje, megjithatë për sociologun Gëzim Tushi, kjo shtesë natyrore e popullsisë është e pamjaftueshme.
“Është i pamjaftueshëm për të mbajtur këtë popullsi që kemi apo për të ruajtur ato shifra të nevojshme të domosdoshme të natalitetit për të pasur një rritje progresive të popullsisë”, tha Gëzim Tushi, sociolog.
Si lindjet ashtu edhe vdekjet kanë pësuar ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përkatësisht me 7.4 dhe 7.8 për qind.
Në Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Durrës e Tiranë numri i lindjeve rezulton më i lartë se ai i vdekjeve, ndërsa në Gjirokastër, Berat, Vlorë, Korçë dhe Fier, e anasjellta.
Në tremujorin e tretë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë të popullsisë është në Tiranë dhe më e ulëta në Korçë. Në Qytetin Juglindor, gjatë 3-mujorit të tretë të këtij viti ka pasur 132 vdekje më shumë se lindje.
Më shumë lindje janë regjistruar në Tirana me 2.233 të tilla, ndërsa e fundit renditet Gjirokastra me 115 lindje. Rënien më të madhe të lindjeve, e ka qarku i Kukësit me 30,8 %.
Sa u përket vdekjeve 11 qarqe të vendit kanë pësuar ulje, me përjashtim të Tiranës që shënoi 1320 vdekje.
Në krahasim me vitin 2018, numri i lindjeve ka rënë nga rreth 29 mijë, në rreth 25 mijë në vitin 2022. Sociologu Tushi rendit një sërë faktorësh që kanë ndikuar në uljen e lindshmërisë.
“Së pari është i lidhur me faktorët kulturorë, që do të thotë njerëzit nuk lindin në mënyrë të paplanifikuar, së dyti, njerëzit kanë mundësi të mbrojnë shtatzënitë e padëshirueshme dhe së treti rritja e cilësisë së jetës”.-u shpreh Tushi.
Edhe pse çështja e lindjeve është një çështje private e çdo çifti, Tushi apelon për politika mbështetëse nga ana e institucioneve, në mënyrë që popullsia jonë të mos vijojë të plaket.
Prej vitit 2018, kur Shqipëria regjistronte 29.000 lindje në rang vendi, në vitin 2022 kjo shifër u ul në 24.688, ndërsa për tre 3-mujorët e vitit 2023, numri i lindjeve ka arritur në 16.353, ku vihet re një ulje drastike krahasuar me vitet paraardhëse. Ajo çka tingëllon pozitive nga të dhënat e fundit të INSTAT është se në tremujorin e tretë të 2023 kemi 1066 lindje më shumë se sa vdekje në shkallë vendi.
Megjithatë, pavarësisht këtij treguesi pozitiv, duket theksuar se numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2023 ka regjistruar një rënie me 7,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2022. Gjithashtu rënie me 7.8% ka pësuar edhe numri i vdekjeve po të krahasojmë tremujorët e tretë të vitit 2022 dhe 2023.
Në tremujorin e tretë 2023, në gjashtë qarqe të vendit ka pasur më shumë lindje se sa vdekje, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera, ky raport është negativ.
Në tremujorin e tretë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 913 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 132 vdekje më shumë se sa lindje.
Lindjet
Sa i takon numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2023, me rritje është vetëm Tirana, ndërsa 11 qarqet e tjera janë me rënie.
Tirana regjistron 2.233 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 115 lindje, duke marrë parasysh edhe numrin më të ulët të popullësisë. Rënien më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të tretë 2023 krahasuar me tremujorin e tretë 2022 e ka qarku i Kukësit me 30,8 %.
Vdekjet
Në shkallë vendi humbën jetën 5.004 persona në tre-mujorin e tertë të vitit 2023, ose 7.8% më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, qarku me numrin të ulët të vdekjeve është Kukësi me 120 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.320 vdekje.
Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të tretë 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 e zë qarku i Gjirokastrës me rënie prej 22,0 %.