Pak impiante për energjinë diellore në Kroacinë “e pasur” me diell!
Në Kroacinë e pasur me diell ka pak impiante për energjinë diellore. Por disa ishuj që kërkojnë ndërtimin e impianteve diellorë po përballen me burokratë të paaftë dhe paragjykime nga e kaluara socialiste.
Ishulli kroat Cres është një parajsë për pushime. Bluja e Adriatikut, kodrat e ulta dhe fshatrat piktoreskë ftojnë turistët të përqafojnë moton e banorëve të zonës “Pa stres në Cres”. Megjithatë në grupin e ishujve që kanë shumë diell, mungojnë impiantet diellore, të cilat shihen shpesh në vende të tjera mesdhetare, si për shembull në Spanjë.
Një grup banorësh të ishullit kërkon tani ta ndryshojë këtë gjë. 3000 orët me diell që kanë ishujt çdo vit do të shfrytëzohen në të ardhmen, që deri në vitin 2040 grupi i ishujve Cres- Losinj, të jetë i padëmshëm për klimën. Një impiant diellor i financuar komplet nga qytetarët do të krijojë mundësinë për këtë.
“Ne hodhëm një video dy-tre minutëshe në You-Tube,” shpjegon Franjo Toic, manaxher i kooperativës energjetike, Apsyrtides. Kjo është krijuar në vitin 2021, për të ndërtuar një impiant diellor me kapacitet deri në 500 kilovat. “Në video treguam kush jemi, çfarë synimi kemi dhe si do ta realizojmë.” Jehona ishte e madhe, tregon Toic, i cili ka lindur këtu në Cres dhe punon në komunën vendore. Brenda tre javësh që kur filloi fushata, kooperativa energjetike mblodhi 100 mijë euro, shumë më tepër se sa shpresohej të mblidheshin, ne prisnim të mblidheshin 60 mijë euro.”
“Ne nuk e prisnim që kaq shumë njerëz në komunë donin të bënin diçka, të ishin aktivë,” thotë Toic, që si shumë të tjerë merret me shtimin e bagëtisë së imët në ishull.
Me projektin diellor banorët e ishujve Cres janë shumë para banorëve të pjesëve të tjera të Kroacisë. Vetëm një përqind e energjisë së vendit u prodhua në vitin 2022 nga modulet diellore, megjithëse Kroacia bën pjesë në vendet më me diell të Europës.
Kroacia çalon në shfrytëzimin e energjisë diellore, por gjërat po ndryshojnë. Në shikim të parë, ky vend i vogël i Ballkanit duket parajsë për energjitë e renovueshme. 63 përqind e energjisë kroate vjen nga burimet ekologjike, kryesisht nga hidrocentralet e vjetra (38 përqind) nga koha e ish-Jugosllavisë, energji e prodhuar nga era (16%) dhe biomasa (8%). Vetëm 36 përqind e nevojave për energji plotësohen ende nga djegia e karburanteve fosile