Zyrtari europian Lajçak takon presidentin serb, Vuçiç/Përpjekje për Asociacionin!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zyrtari europian Lajçak takon presidentin serb, Vuçiç/Përpjekje për Asociacionin!

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Më 7 nëntor, kujtojmë se Lajçaku vizitoi Kosovën ku diskutoi me përfaqësuesit e qeverisë, si dhe të opozitës për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi i ri “për një model modern europian” lidhur me draft-statutin e Asociacionit u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë nga anëtarët e “Pesëshes së Madhe” gjatë vizitës së tyre në këto dy shtete, në datën 21 tetor.

Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës e gjithashtu Italisë.

Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, në vitet 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli në përfundimin se marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, duke argumentuar se një gjë e tillë mund të cënojë funksionalitetin e shtetit.

Megjithatë, gjatë një takimi me liderët europianë në Bruksel në datën 26 tetor, Kurti tha se ka pranuar draft-statutin e ri të propozuar.

Dokumenti i këtij draft-statuti nuk është bërë publik. Por, Albin Kurti ka vënë në dukje se ai është shkruar me shumë kujdes ndaj gërmës së frymës së Kushtetutës së Kosovës.

Më herët gjatë vitit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër të tjera parashikon edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë e njohje reciproke të simboleve shtetërore. Po ashtu, nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura kohë më parë, po përmes dialogut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE