Takimi i OSBE-së në Shkup, mbetet e paqartë pjesëmarrja e Lavrovit!
Dy javë para mbajtjes së takimit të Këshillit Ministror të 30-të të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që do të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, mbetet e paqartë nëse kryediplomati rus, Sergei Lavrov, do të marrë pjesë në takim.
Mbledhja e 30 nëntorit dhe 1 dhjetorit do të mbahet në Shkup, pasi Maqedonia e Veriut aktualisht kryeson me OSBE-në. Pjesëmarrja në këtë takim e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, është e sigurt, sipas deklaratës së ambasadorit amerikan në OSBE, Michael Carpenter.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si organizator, tha më 15 nëntor se deri më tani nuk ka të dhëna se sekretari amerikan i Shtetit nuk do të vijë, andaj vendi po përgatitet për prezencën e tij.
Ndërkohë, sipas Osmanit, nuk përbën problem as pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Por, hapësira ajrore është e mbyllur për avionët shtetërorë rusë, pas vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e rajonit, në përjashtim me Serbinë, që vendosën kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Që Lavrov të arrijë në Shkup nevojitet hapja e hapësirës ajrore nga Maqedonia e Veriut dhe nga një vend tjetër, Greqia ose Bullgaria.
“Vendimi për sanksionet e BE-së nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja. Prandaj, është vendim i qeverive që duhet të miratohet, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia që të mund të sigurohet një fluturim për diplomatin rus. Megjithatë, në këtë fazë jemi duke i përpunuar kërkesat. Për pak ditë do të dalim me një qëndrim përfundimtar”, tha Osmani.
Nga vendet fqinje, vetëm Serbia nuk ka mbyllur hapësirën ajrore aeroplanët rusë. Ndërkohë, për shkak të vetos ruse mbetet pa zgjidhje çështja e kryesimit të radhës me OSBE-në. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se tre skenarët për zgjidhje të mundshme që kanë qarkulluar deri më tani në opinion janë ende në lojë.
E para është të arrihet një konsensus për kryesimin e Estonisë, e dyta është gjetja e një vendi tjetër për të cilin 57 shtete anëtare do të arrijnë një konsensus dhe e treta është që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të organizatës edhe vitin e ardhshëm.
“Nëse nuk mund të gjejmë shtet alternativ deri në mbledhjen me Këshillin Ministror në Shkup, atëherë teorikisht mund të shtrohet pyetja nëse ne duhet të vazhdojmë edhe një vit”, tha kryediplomati Osmani.
Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës. Për shkaqe sigurie dhe të mbarëvajtjes së Këshillit, Qeveria maqedonase vendosi që datën 30 nëntor, ta shpallë ditë pushimi.