Biden dhe Xi pajtohen të ndalojnë fentanilin dhe rifillojnë dialogun ushtarak!
Duke u zotuar që të stabilizojnë marrëdhëniet e tensionuara, presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu kinez, Xi Jinping i dhanë fund takimit disa orësh, i pari ballë për ballë në një vit. Dy liderët folën për marrëveshje modeste që të luftohet fentanili e të rivendosen komunikimet ushtarake. Por, ende ka dallime të thella lidhur me konkurrencën ekonomike dhe kërcënimet e sigurisë globale.
Biden-Xi kaluan katër orë në takime, një drekë pune dhe një shëtitje në kopsht, me qëllimin për t’i treguar botës se ndërsa janë konkurrentë ekonomikë globalë, mbeten të hapur për të debatuar.
“Planeti Tokë është mjaft i madh që të dy vendet të kenë sukses”, i tha Biden homologut Xi. Po ashtu, deklaroi:
Unë mendoj se është e rëndësishme që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, drejtpërdrejt, pa keqkuptime apo keqkomunikime. Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos kthehet në konflikt.
Takimi në prag të konferencës vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, ka nënkuptime të gjera për një botë që po përballet me probleme ekonomike, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Europë, tensionet në Tajvan e më gjerë.
Ata arritën marrëveshje të pritshme për të frenuar prodhimin e paligjshëm të fentanilit e për të rivendosur lidhjet ushtarake.
Shumë nga kimikatet e përdorura për prodhimin e fentanilit sintetik vijnë nga Kina dhe përdoren nga kartelet që e trafikojnë lëndën e fuqishme narkotike në Shtetet e Bashkuara. Amerika po përballet me krizë mbidoze.
Udhëheqësit ushtarakë do të rivendosin linjat e komunikimit, tejet të rëndësishme, ndërsa janë rritur incidentet mes anijeve dhe avionëve të të dy vendeve.
Një zyrtar amerikan tha se lidhur me Tajvanin, mes Biden-Xi kishte shumë ecejake. Biden e qortoi Kinën për shtimin e pranisë ushtarake masive përreth Tajvanit. Presidenti kinez theksoi se nuk ka plane për ta pushtuar ishullin.
Zyrtari amerikan shtoi se “Biden i tha udhëheqësit Xi se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për ta vazhduar ndihmën ndaj Tajvanit që të vetëmbrohet dhe të parandalojë një sulm të mundshëm kinez”. Presidenti amerikan i bëri thirrje Kinës që të shmangë ndërhyrjet në zgjedhjet e Tajvanit vitin që vjen. Pjesën e bisedimeve për Tajvan, zyrtari e përshkroi si të qetë.
Biden i bëri thirrje presidentit Xi që ta përdorë ndikimin e tij ndaj Iranit për ta bërë të qartë se Teherani dhe elementët e tij nuk duhet të ndërmarrin hapa që do të çonin në një zgjerim të luftës mes Izraelit e Hamasit. Gjatë diskutimeve për Iranin, Presidenti Biden udhëhoqi bisedën dhe Xi dëgjoi më së shumti.
Sipas një deklarate nga kanali televiziv shtetëror i Kinës, CCTV, “Xi ishte më i përqendruar te çështja e Tajvanit, si dhe te sanksionet e kufizimet amerikane ndaj produkteve dhe bizneseve kineze”.
Televizioni shtetëror kinez njoftoi edhe se dy udhëheqësit ranë dakord për të dialoguar lidhur me Inteligjencën Artificiale ndërsa theksuan urgjencën që të dy vendet të trajtojnë ndryshimet e klimës.