Kongresi Amerikan shmang mbylljen qeveritare!
Duke i dhënë fund mundësisë për mbyllje qeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në kohën e festave, Kongresi dha miratimin final për një paketë financimi për agjencitë federale. Kështu, ligjvënësit e shtynë për vitin tjetër debatin mbi buxhetin federal.
Senati u mblodh mbrëmjen e djeshme për ta miratuar projektligjin dhe për ta dërguar për nënshkrim te presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pas miratimit të dhënë nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, foli në një konferencë për media, pas miratimit:
Këtë vit nuk do të ketë mbyllje qeveritare.
Paketa e shpenzimeve i mban në qarkullim fondet qeveritare edhe për dy muaj të tjerë, derisa të finalizohen diskutimet për vitin e ri buxhetor. Paketa përfshin fonde deri më 19 janar për disa agjenci federale, ndërsa deri më 2 shkurt, për disa të tjera.
Por, në projektligj nuk është përfshirë kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për të ndarë 106 miliardë dollarë si ndihmë për Izraelin e Ukrainën, si dhe për ndihmë humanitare për palestinezët.
Ligjvënësit pritet të fokusohen më shumë në atë kërkesë pas Ditës së Falënderimeve, festës tradicionale në Shtetet e Bashkuara, që shënohet rreth fundit të muajit nëntor.
Me 336 vota pro dhe 95 kundër, mbrëmjen e së martës, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë të shtunën, duke shtyrë debatin mbi çështjet e debatueshme buxhetore deri në fillim të vitit 2024.
Buxheti aktual për të gjitha agjencitë qeveritare skadon mesnatën e së premtes, duke detyruar Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të arrijnë marrëveshje për një buxhet afatshkurtër, për të mbajtur qeverinë të hapur.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një propozim nga kryetari i ri, Mike Johnson e që zgjat shpenzimet në nivelin aktual për disa agjenci qeveritare deri në mes të janarit dhe për disa të tjera, deri në fillim të shkurtit.
Për miratimin e planit të tij, Johnson mori më shumë vota nga demokratët se nga republikanët. Plani u mbështet nga 209 ligjvënës demokratë dhe 127 republikanë. Kundër ishin 93 republikanë e dy demokratë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u kritikua nga një fraksion i krahut të djathtë të kolegëve republikanë, pasi plani i tij buxhetor nuk përfshin shkurtimet e shpenzimeve ose ndryshimet e politikave që ata kërkojnë.