“Euro 2024”, sot Moldavi-Shqipëri, një “finale” për kuqezinjtë!
Sot në orën 18:00 luhet Moldavi-Shqipëri. Kjo ndeshje është një finale për Kombëtaren, që me një pikë siguron kalimin në fazën finale të kualifikueseve të Euro 2024-ës në Gjermani. Moldavisë i duhet vetëm fitorja. Trajneri moldav thotë se ekipi i tij do fitojë me çdo kusht. Silvinjo nga ana tjetër nuk pranon as barazim dhe është i bindur për fitore.
Tekniku brazilian theksoi rëndësinë e kësaj sfide, ndërsa vlerësoi maksimalisht edhe ekipin kundërshtar. Silvinjo u shpreh se skuadra kuqezi do të hyjë në fushë vetëm për të marrë tre pikët, pasi kjo është finalja e parë e këtij muaji dhe një ndeshje mjaft vendimtare për Shqipërinë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare nënvizoi se gjendja e ekipit është mjaft e mirë dhe nuk ka asnjë problem, me lojtarët që po punojnë me seriozitetin e duhur për këtë sfidë.
Në futboll gjithmonë luhet vetëm për fitore, nëse dy skuadra barazojnë do të thotë që asnjë ekip nuk ishte i aftë për të fituar dhe barazimin unë e shoh si pasojë e lojës, jo si një objektiv për skuadrën kur hyn në fushë.
Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një finale, një ndeshje shumë vendimtare dhe të rëndësishme. Edhe lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe kjo është diçka pozitive. Janë të ndërgjegjshëm për faktin që s’ka mbaruar asgjë akoma sa i përket kualifikimit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në shtëpi ndaj Çekisë dhe jemi përgatitur për finalen që kemi.
Kombëtarja jonë luan kundër Moldavisë në Kishinau për duelin e parafundit në Grupin E kualifikues të Euro 2024-ës. Një pikë u mjafton djemve të Sylvinjos për të shkuar zyrtarisht në fazën finale të “Gjermani 2024”, ndërsa në “Zimbru Stadium” do të jenë 800 tifozë kuqezi.
Ndërsa sot Shqipëria përballet me Moldavinë e teksa mjafton vetëm një pikë që na kualifikon për në Kampionatin Europian në Gjermani, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj fton qytetarët të mbushin sheshin “Skënderbej”, për të mbështetur në orën 18:00 kombëtaren e futbollit. “Një hap larg EURO2024! Të gjithë bashkë në Sheshin Skënderbej, ora 18:00, të mbështesim shqiponjat kuq e zi, për ëndrrën e përbashkët Europiane! Forca çuna! Krenohemi me ju”, theksoi Veliaj.