“Lejen e Belerit e jep prokurori”/ Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për kërkesën e Fredi Belerit!
Gjykata e Lartë zbardhi vendimin për Dhionisis Fredi Belerin, i cili prej shtatorit kërkon gjyqësisht të lërë paraburgimin dhe të betohet si kryetar bashkie para Këshillit Bashkiak të Himarës. Teksa Gjykata e Lartë specifikon se nuk është kompetente gjykata e Durrësit, por gjykata Antikorrupsion në Tiranë për ta shqyrtuar kërkesën e të paraburgosurit, në vendimin që iu vendos në dispozicion Top Channel-it, përmendet më tej se “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, ashtu siç Beleri e ka kërkuar në muajin shtator”.
Lutja për t’u betuar në një fazë të hetimit paraprak të çështjes për Belerin, nën Arrest me burg, i takon prokurorit të SPAK-ut, si titullar i procedimit penal, thekson Gjykata e Lartë, sipas së cilës, “prokurori vlerëson impaktin e dhënies së lejes, nëse ndikon apo jo në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit”.
Thënë në terma të tjerë, citon Kolegji Penal, “aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit Durrës për të vlerësuar kushtet e aplikimit të kësaj lejeje është pothuajse inekzistent”.
Gjykata shton se:
Përsa kohë çështja gjendet në Gjykatën Antikorrupsion, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel.
Pasi Kolegji Penal ka zgjidhur konfliktin se cila gjykatë duhet ta shqyrtojë kërkesën e Belerit për t’u betuar, Top Channel u interesua pranë Gjykatës së Posaçme në Tiranë, nëse kishte caktuar apo jo një datë për ta shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të votuar të Himarës, i cili prej shtatë muajsh mbahet në qeli nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Kjo gjykatë konfirmoi se nuk është caktuar ende seanca, ndërsa kërkesa e Belerit pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja antikoprrupsion, Fjorela Davidhi. Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 eurove secila.
Ndërkohë, pas votimeve vendore të 14 Majit ku u shpall fitues, Beleri kërkon të lërë qelinë dhe të betohet. Kryebashkiaku i votuar i Himarës bazohet në precedentë të mëparshëm, në praktikën e ish-deputetit Azgan Haklaj dhe Mark Frrokut, të cilët sipas të paraburgosurit Beleri, morën leje të posaçme për t’u betuar./Top Channel