Palestinezët e evakuar nga Gaza lejohen të hyjnë në Bosnje!
Në mënyrë unanime, Këshilli i Ministrave në Bosnje-Hercegovinë miratoi “vendimin lidhur me dhënien e lejes për hyrjen në këtë vend ballkanik, nën kushte të posaçme, të qytetarëve palestinezë, familjarët e të cilëve janë shtetas të Bosnje-Hercegovinës”. Kjo u bë e ditur në njoftimin zyrtar të këtij institucioni. U konfirmua se 30 persona do të lejohen që të hyjnë në këtë shtet. Ata janë të afërm të qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, të evakuar së bashku nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar të Rafahut.
Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës do t’ia dërgojë listën e 30 personave Policisë Kufitare. Përveç të dhënave personale, në këtë listë ka edhe informacione për të afërmit e tyre që janë shtetas të Bosnje-Hercegovinës. Hyrja e tyre do të mundësohet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës.
Më herët, autoritetet njoftuan se shteti i Katarit ka ofruar një avion për transportin e shtetasve të Bosnjës dhe familjarëve të tyre, të cilët u evakuan nga Rripi i Gazës. Po ashtu, Katari u ofrua që të mbulojë shpenzimet e tyre të fluturimit nga Egjipti për në Bosnje. Fillimisht, ata u ndalën në Kajro, në pritje për lejen e hyrjes në Sarajevë.
Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave nuk mori vendim për këtë çështje për shkak të mungesës së kuorumit, pasi nuk morën pjesë të gjithë ministrat nga të tre entitetet. Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç shkroi në Facebook se Bosnja ka arritur të evakuojë të gjithë shtetasit nga Gaza.
Lufta në Gazë vijon prej 7 tetorit, datë kur Hamasi, grupi radikal islamik palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë mbi 1 mijë e 400 persona dhe rrëmbeu më shumë se 240 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj ashpër duke rrethuar Rripin e Gazës, territorin e mbipopulluar e të drejtuar prej 2007-ës nga Hamasi. Aty jetojnë 2.3 milion palestinezë. Izraelitët nuk ndalen e janë duke goditur pa ndërprerje këtë territor. Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se mbi 11 mijë palestinezë janë vrarë që kur ka nisur lufta. Izraeli i vë në dyshim këto shifra edhe për faktin që i jep dikasteri i Shëndetësisë i drejtuar nga Hamasi.