Kaosi në Kuvend, kryeministri Rama: Kanë prekur fundin!
Kryeministri Rama reagon për situatën e krijuar sot në Kuvend ku për shkak të kaosit të përsëritur nga opozita, ajo që duhej të ishte seancë maratonë dy-ditore kushtuar diskutimeve të pr.Buxhetit 2024, përfundoi me miratimin e tij në parim me 73 vota. Seanca u mbyll në pak minuta.
I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur.
Deputetët e mbledhur rreth Sali Berishës e Gazment Bardhit shkuan më herët në mjediset e selisë së Parlamentit ku para hyrjes në sallë iu nënshtruan kontrolleve të efektivëve të Gardës. Me tone të ashpra, Gazment Bardhi debatoi me ta:
S’ju vjen zor, e keni kthyer në shtet policor! Për ça i ke sjell këta? Për ça ushtroni kontroll? Kush jeni ju mo?
Pavarësisht kontrolleve, demokratët sërish ndezën tymuese ndërsa në sallë gjendej edhe kryeministri Edi Rama. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla iu drejtua Flamur Nokës, duke i komunikuar përjashtimin, pasi ndezi tymuesen. Më herët, deputetët grumbulluan karrige përreth foltores, por nuk u lejuan nga Garda ta zaptonin.
Në kohën e zhvillimeve kaotike në Kuvend, ish-kryeministri Berisha duhej të paraqitej në SPAK, në zbatim të masave të sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, të vendosur ndaj tij nga GJKKO-ja, pasi akuzohet “Për korrupsion pasiv” në çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Sot unë jam paraqitur në Parlament, pasi kurrë nuk mund të pranoj përvetësimin që bën Rama. Eshtë urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve siç është Kraja, i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës. Irena Gjoka fshihet pas krimit. Ata janë shërbëtorë të mjerë që zbatojnë urdhrat e Edi Ramës.
Ky ishte afati i dytë për ish-kryeministrin, ndërsa masa e sigurisë paracaktoi detyrim për paraqitje të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Afati i kaluar ishte më 6 nëntor.