“Syri i keq”/ Gentian Zenelajt i ndodh incidenti i frikshëm në skenë
Më 15 nëntor, skena e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mirëpriti shfaqjen “E kuqe” nga regjisori Altin Basha. Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj ishin protagonistët e kësaj drame të fortë, me autorësi të John Logan.
“E kuqe” ka rikthyer aktorin Gentian Zenelaj në një rol dramatik, ndryshe nga pothuaj të gjitha rolet e tjera me të cilat publiku është mësuar ta shohë. I ftuar pasditen e sotme në emisionin “Rudina”, Zenelaj tha se ky rol, si një sfidë dhe dhuratë e 45-vjetorit të lindjes së tij, ka ardhur me shumë lodhje dhe mund, madje nuk kanë munguar as momentet e frikshme.
“Ishte një datë e rëndësishme, që erdhi me kaq shumë lodhje, me kaq shumë mund, madje do të të tregoj edhe një moment komik, të frikshëm, në mund ta quaj, në premierë. Papritur, një moment, sa kishte ardhur dikush me një sy shumë të madh dhe shembet kanavaca e madhe komplet dhe bie në krahun tjetër me gjithë pikturë dhe për mua dhe Urimin ishte një shok i vërtetë, sepse nuk po dinim… u shqye skela e madhe që ra dhe unë dhe Urimi patëm një moment frike të tmerrshme, sepse nuk do dinim si do shkonte shfaqja përpara. Ndërkohë, regjisori Altin Basha kishte menduar gjithë finalen e shfaqjes mbi atë skelë të madhe, ku vendoseshin të gjitha pikturat, pra do të ishte një pjesë masive e skenografisë. Ka qenë një moment që unë do ta mbaj mend gjithë jetën, se si dy aktorë përpëliteshin. Gjysma e trurit punonte për tekstin dhe gjysma tjetër punonte si ta zgjidhim teknikisht sjelljen në këmbë të gjithë asaj skele të madhe. Shyqyr Zotit ia arritëm me sukses, madje shumë njerëz kishin menduar që është pjesë e shfaqjes, pra për një aktor është realisht moment i frikshëm në skenë”. – tha gent Zenelaj.