Vijon operacioni i SPAK-ut që çoi në pranga Erzen Breçanin e djalin e tij/Ervin Mata në kërkim!
Aplikacioni SKY zbërtheu një tjetër grup kriminal dhe SPAK-u lëshoi 11 urdhër-arreste një natë më parë. Deri tani janë zbatuar 6 e vijon puna për kapjen e 5 të tjerëve. Akuzat janë për trafik droge, grup i strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për të siguruar vrasje.
Mes të prangosurve janë ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani me djalin e tij, Eralbi Breçanin, të akuzuar për përkrahje autori të krimit. Po ashtu, shefi i Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni. Ai dyshohet lidhur me sigurimin e kushteve për të kryer një vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu, u arrestuan Bujar Gërmizi e Besmir Mustati. Gërmizi, që tashmë ka mbiemrin Ajeti, akuzohet për krijim kushtesh për vrasje. Urdhër-arrest ka dhe për Ervin Matën, i cili ka lidhje krushqie me Erzen Breçanin. Policia nuk mundi ta arrestojë dhe e shpalli në kërkim. Mata është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes së vitit 2018 në një lokal në zonën e ish-Bllokut me Ervis Martinajn.
Mësohet se Erzen Breçani e Dedan Gjoni u prangosën pranë stadiumit “Air Albania” ku do të hynin për të ndjekur ndeshjen me Ishujt Faroe. Në pranga ra edhe një oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, Jonida Babameto.
Faza e dytë e operacionit të koduar “Metamorfoza” ende është në vijim dhe pritet që të ketë një njoftim zyrtar nga autoritetet për të dhënë më shumë detaje.