Përgatitet dosja për ekstradimin e Dritan Rexhepit/Ministria e Jashtme pritet t’ia dërgojë Turqisë!

vovalbania November 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përgatitet dosja për ekstradimin e Dritan Rexhepit/Ministria e Jashtme pritet t’ia dërgojë Turqisë!

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dikasteri i Drejtësisë dërgon dosjen për ekstradimin e të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi, që t’i shkojë Ministrisë së Drejtësisë të Turqisë, vend ku “mbreti shqiptar i kokainës” u arrestua më herët këtë muaj pasi kishte hyrë me pasaportë false kolumbiane.

Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë: 

Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023.

Bosin e narkotrafikut shqiptar, Dritan Rexhepi, mëngjesi i datës 10 nëntor e gjeti të prangosur në një vilë në Stamboll. Ai mbante emrin, Benjamin Omar Perez Garcia. Në vendin tonë, Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme, si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, më 17 janar të vitit 2020.

I konsideruar si “mjeshtri i arratisjeve” nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, në mars të 2006-ës, Rexhepi u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë. Arben Keçi e Durim Kasmi u ekzekutuan në vitin 1998. Aktualisht, Shqipëria është vënë në garë me disa vende të Bashkimit Europian si Italia e Belgjika dhe gjithashtu me Britaninë e Madhe për ta ekstraduar.

Kush është Dritan Rexhepi?

Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Përveçse akuzohet për vrasjen e dy policëve, emri i tij lidhet me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz, në janar të 2020-ës. Vëllai i të rrëmbyerit, Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine dhe që i përkiste Rexhepit. Ky i fundit njihet si lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë miliona euro nga Amerika e Jugut në Europë, prej vitit 2014. “Kompania Bello” e drejtuar prej tij, përbëhej nga 14 banda kriminale shqiptare, të përfshira në trafik droge.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE