Rikthehet java e 13-të, ndryshon orari i Superligës!
Superliga shqiptare e futbollit do rikthehet nesër me javën e 13-të. Gjithçka rinis aty ku u ndal, në stadiumin e Rrogozhinës me ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit në orën 13:30. Sfida e programuar për në datën 11 nëntor u luajt vetëm 24 minuta, teksa kapiteni i Egnatias Raphael Dwamena u rrëzua në tokë dhe rrugës për në spital fatkeqësisht humbi jetën. Tanimë futbolli rikthehet aty ku u ndal, në fushën e tragjedisë nga minuta e 24-t.
Gjithashtu të enjte në orën 17:00 luhet Dinamo – Erzeni, ndërsa në 20:00 Tirana me Kukësin përplasen në “Air Albania” duke nisur nga ora 20:00. Pas një kohe të gjatë stadiumi modern hap dyert për klubet e Superligës.
Të premte më 17:00 Superliga ul siparin e javës së 13-të me duelet Vllaznia – Laçi dhe Skënderbeu – Teuta. Egnatia dhe Partizani kryesojnë renditjen me 26 pikë, me “Demat” që kanë një ndeshje më pak. Në fund Teuta dhe Dinamo me 12 pikë.
Superliga – java e 13-të:
E enjte
13:30 Egnatia 1-1 Partizani (Nis nga minuta 24)
17:00 Dinamo – Erzeni
20:00 Tirana – Kukësi
E premte
17:00
Vllaznia – Laçi
Skënderbeu – Teuta