SPAK: Rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit të Jamarbër Malltezit!
I pyetur nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha Prokurori i Posaçëm, Arben Kraja, tha se SPAK do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit të Jamarbër Malltezit nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Arben Kraja: Po bëhemi gati për të bërë rekurs, do të kërkohet kthimi në arrest me burg të Jamarbër Malltezit.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lirojë nga burgu një ditë më parë Jamarbër Malltezin, duke zbutur masën nga “arrest në burg”, në “arrest në shtëpi”.
Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.
Mbrojtja e Malltezit, mbi të cilin rëndon akuza korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, dërgoi disa ditë më parë kërkesë për shuarje ose zbutje të masës “arrest në burg”.
Kujtojmë se Jamarbër Malltezi, i cili më herët mbante postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike u arrestua më 21 tetor, ndërsa ndodhej në aeroportin e Rinasit.
Malltezi dyshohet se ka përfituar 3-5% të pasurisë se paluajtshme të 5 familjeve që ai ka përfaqësuar me prokurë dhe vetë ishte përfaqësues në këmbim të privatizimit, ku ka ndërtuar 17 kulla, sipas dosjes së siguruar nga Anila Hoxha.
Gjithashtu Gjykata e Posaçme vendosi në sekuestro pasuritë e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.
Veç arrestimit të Malltezit, GJKKO vendoi detyrim paraqitje për vjehrrin e tij ish-kryeministrin Sali Berisha dhe për Fatmir Bektashin.
Berishës gjithashtu i është bllokuar pasaporta dhe nuk mund të lëvizë jashtë vendit.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.