Zgjedhjet parlamentare të Serbisë nuk do të mbahen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë!
Serbët e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, duket se do të udhëtojnë drejt Serbisë për të hedhur votën e tyre, ndërsa Prishtina nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në Kosovë. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, mblodhi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar rrugët e përfshirjes së tyre në votime.
Mbledhja u organizua pak pasi ai njoftoi Komisionin e Zgjedhjeve në Serbi se “nuk është e mundur mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë”, meqë siç tha “regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen nga Beogradi të pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë”.
Në fillim të nëntorit, Beogradi i kërkoi misionit të OSBE-së në Kosovë që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi. OSBE-ja tha se e ka informuar qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje ndaj kërkesës së OSBE-së tha:
Për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marr për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë lehtësuar nga misioni i OSBE-së dhe deri në vitin 2020, Kosova nuk e ka penguar organizimin e tyre. Votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar për numërim në Serbi.
Por, në prill të vitit 2022, qeveria e Kryeministrit Kurti tha se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj. Serbia refuzoi dhe si rrjedhojë votuesit serbë nga Kosova kanë votuar në Serbi.
Në janar 2022, qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen në shtetin e saj të një referendumi të Serbisë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.
Më 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.