Hetimet e SPAK-ut, Shoqata e Bareve-Restoranteve: Nga frika, informalët nuk dalin të shpenzojnë!

vovalbania November 24, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Hetimet e SPAK-ut, Shoqata e Bareve-Restoranteve: Nga frika, informalët nuk dalin të shpenzojnë!

Hetimet e nisura nga SPAK-u për ish-zyrtarë të lartë dhe eksponentë të botës së krimit, gjithashtu po ndikojnë te rënia e konsumit të restoranteve. Për përfaqësuesin e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj, me përfundimin e valës së ardhjes së turistëve, konsumi në restorante e bare iu rikthye tendencës rënëse.

Sipas tij, një sërë faktorësh  po ndikojnë, duke nisur nga pasiguria për shpenzime te konsumatori familjar për shkak të vështirësive ekonomike e tendenca për kursime në prag festash, si dhe duke përfshirë “frikën” për t’u ekspozuar në restorante të individëve që zotërojnë para’ të pista, për shkak të hetimeve nga SPAK-u.

Konsumi në bare dhe restorante është në rënie krahasuar me vjet.

Së pari, jemi përballë një krize që konsumatorët ndihen të pasigurt për shpenzime.

Së dyti janë ditët e gjata të pushimeve për festat kombëtare.

Së treti, jemi edhe në prag të festave të fundvitit e konsumatori ka tendencën të kursejë për shpenzimet në bare dhe restorante.

Së katërti, ata që kanë para’, si dhe ata që kanë para’ të pista në duar, nuk dalin të shpenzojnë më, pasi nuk duan të vihen në evidencë. Konsumojnë larg vëmendjes së njerëzve, konsumojnë në shtëpi. Pra, tashmë është fakt që të dy krahët nuk po dalin më për dreka e darka në restorant ose dalin pa rënë në sy të njerëzve. Të gjithë i ka kapur frika.

Tërheqja e kësaj kategorie po jep ndikim, për faktin se vlerësohet se ata zënë 10-15% të konsumit total në bare e restorante. Kjo kategori shpenzon deri në 15 mijë lekë për person në restorante.

Nga Shoqata e Bareve e Restoranteve, shqetësimi për rënien e konsumit u ngrit edhe në fillim të këtij viti, për shkak të pasigurisë së konsumatorit nga rritja e çmimeve për produktet e shportës ushqimore nga konflikti Rusi-Ukrainë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës, “konsumi pati përmirësim në zgjedhjet vendore të 14 Majit dhe vijoi me rritje përgjatë muajve të verës nga turistët”.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT-it, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. Referuar të dhënave të INSTAT-it, deri më 2019-ën, në këtë sektor ishin të punësuar 45 mijë persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit.

Hetimet e nisura nga SPAK-u nuk po trembin vetëm frekuentuesit e lokaleve e bareve, por edhe blerësit e apartamenteve në Tiranë. Më herët, edhe agjentët mobilierë të tregut të pasurive të paluajtshme pohuan për Monitor së hetimet po ndikojnë te rënia e kërkesës për blerje apartamentesh.

Përdorimi i skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit e të pasurive të paluajtshme është hasur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjatë 2022-shit, ky institucion publikoi në raportin vjetor 8 tipologji skemash që janë dyshuar si forma të pastrimit të parave në vend. Shumica e tipologjive kishin në thelb investimet në pasuri të paluajtshme, ku nuk mungonin as dyshimet për përdorim të fondeve publike, transferta të dyshimta, të lidhura edhe me grupe kriminale.

Edhe nga ekspertët e tregut, shpeshherë është ngritur shqetësimi se çmimet e apartamenteve veçanërisht për objekte të veçanta si kullat që arrijnë deri në 5,000 euro për metër katror, janë shumë herë më të larta se të ardhurat e familjeve shqiptare.

Për 6 mujorin e parë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve u rritën 40% më shumë krahasuar me 2021-shin. Sipas ekspertëve të tregut, rritja e lartë u ndikua edhe nga pritshmëritë e shumë ndërtuesve për miratimin e Amnistisë Fiskale, një draft i publikuar disa herë nga qeveria, por miratimi është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare. /Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65779 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE