Identifikohet një specie e re e dinozaurëve!
Shërbimi gjeologjik në Brazil ka deklaruar së fundmi se ka zbuluar një specie të re të dinozaurëve, një kafshë të shpejtë që kishte jetuar në shkretëtirë gjatë periudhës së hershme të Kretakut. Specia e re, e quajtur Farlowichnus rapides, ishte një kafshë e vogël mishngrënëse e gjatë 60-90 centrimetra. Zbulimi u publikua në revistën shkencore, “Cretaceous Research”.
“Nga një distancë e madhe në mes të gjurmëve të këmbëve që kemi gjetur, është e mundur të konkludohet se ai ishte një zvarranik shumë i shpejtë që vraponte nëpër shkretëtirë”,-tha Shërbimi gjeologjik përmes një deklarate. Periudha e hershme e Kretakut daton nga 100 deri në 145 milionë vjet më parë.
Fosilet e dinozaurëve në Brazil fillimisht u gjetën në vitet ’80 nga prifti dhe paleontologu italian, Giuseppe Leonardi, në qytetin Ararakuara, në shtetin e Sao Paolos. Leonardi duroi një nga mostrat e gjurmëve që u gjetën në formacionin e quajtur Botukatu, që është një grup shkëmbinjsh që është formuar nga shkretëtira e lashtë, për Muzeun e Shkencave të Tokës më 1984. Gjurmët që janë gjetur në Brazil dallojnë nga gjurmët e gjetura të dinozaurëve në pjesë të tjera të botës.
Rikujtojmë, se një grup gjurmësh dinozauri të ruajtura mirë u zbuluan në një plazh në brigjet jugore të Anglisë. Inxhinierët nga Agjencia e Mjedisit e qeverisë po hetonin se si të përforconin mbrojtjen e detit përgjatë bregdetit Yaverland në ishullin Wight, kur zbuluan fosilet. Ekspertët besojnë se gjurmët 125 milionë-vjeçare mund të jenë nga një Mantellisaurus, shtatë metra i gjatë dhe me tre gishta, gjë që i dallon ata nga dinozaurët e tjerë.