Në Vlorë, era e fortë pezullon lundrimin e trageteve për sot/Në Fier, avari në 13 fidera!
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, informoi mbi situatën e krijuar në vend nga moti i keq.
Sa i përket akseve rrugore në qarkun e Kukësit ka pasur reshje dëbore, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Në segmentin rrugor, Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj, gjatë natës ka pasur reshje dëbore në lartësinë mbi 700 metra. Po kështu edhe në Qafë Thore ku janë marrë masa për hedhjen e kripës dhe pastrimin e rrugës.
Në aksin Ura e Zapotit-Shishtavec, ka vazhduar rënia e dëborës dhe po punohet për kriposjen dhe pastrimin e rrugës. Trashësia e dëborës shkon deri në 15 cm. Këshillohet që automjetet të cilat qarkullojnë në këtë segment të jenë të pajisura me goma dimërore për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat shkojnë deri në minus 2 gradë.
Në segmentin malor Vau i Dejës-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës ka reshje dëbore dhe po punohet për kriposjen e pastrimin e rrugës. Këshillohet përdorimi i gomave dimërore.
Në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kerrnaje, Bajram Curri-Fierzë ka pasur reshje dëbore, e cila është pastruar dhe nuk ka probleme për qarkullimin.
Në akset e tjera të vendit, në rajonin qendror dhe atë jugor, ka pasur reshje shiu me intensitet, por qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.
Lidhur me furnizimin me energji, për shkak të motit të keq janë shfaqur avari në 13 fidera, kryesisht në rajonin e Fierit, në zonat rurale. Në terren ndodhen ekipet e OSSH. Të gjitha linjat, të cilat furnizojnë me energji elektrike hidrovorët, janë në funksion të plotë. Në linjat e transmetimit dhe nënstacionet e OST-së nuk raportohen problematika.
Sa i takon Kaskadës së Drinit, situata paraqitet e qetë, ku për shkak të prurjeve të konsiderueshme të liqenit të Komanit dhe Vaut të Dejës i gjithë prodhimi i energjisë mbulohet nga këto dy hec-e. Aktualisht Fierza është në prodhim zero për të bërë të mundur akumulimin e prurjeve dhe rritjen e rezervës energjetike. Në Fierzë niveli është 274.72 m; Koman 171.17 m dhe Vau Dejes 73.63 m.
Sa i përket furnizimit me ujë në të gjithë vendin situata e furnizimit me ujë dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura janë në kushte optimale.
Ndërsa në portin e Durrësit situata paraqitet pa probleme. Në portin e Vlorës, për shkak të erës së fortë, gjatë ditë së sotme është pezulluar lundrimi i trageteve dhe mjeteve të tjera lundruese, i cili pritet të rifillojë ditën e nesërme.
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit paraqitet pa problematika dhe vonesa.