Rrëfimi i Albanës që i shpëtoi vdekjes/Burri e lyen me benzinë, policia neglizhon: “Nuk jemi taksi!”
Përgjatë vitit 611 persona u arrestuan për dhunë në familje. Nga 2010 raportohet se u vranë 159 gra. Në Ditën e Dhunës Kundër Grave vjen ky rrëfim. Albana Dedaj, mund të kishte qenë një prej 159 grave të vrara, sa kohë që prokuroria e akuzon të shoqin “për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare të mbetur në tentativë”. Për herë të parë ligji që duhet të parandalojë dhe reduktojë dhunën në familje në të gjitha format e saj hyri në fuqi në viti 2006-të dhe prej atëherë 33 mijë e 628 gra kanë marrë urdhër mbrojtjeje. Policia vlerëson zyrtarisht se në masën 80 përqind të kësaj shifre të dhunuarat janë keqtrajtuar nga një burrë si bashkëshorte, ish partnere apo bashkëjetuese. Albana Dedaj, në podcast-in “Fol me Anila Hoxhën”, mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, rrëfen se jo vetëm që ajo dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti por në fund ai tentoi ta digjte me benzinë. Albana duroi për vite me radhe, nuk denoncoi dhe në fund kur kuptoi se jeta e saj dhe e fëmijëve ishte në rrezik vendosi të denonconte burrin dhunues.
Albana Dedaj: Jam Albana Dedaj, jam 45 vjeçe, 32 vjeçe jam martuar.
Anila Hoxha: Sa kohe ke me urdhër mbrotjeje?
Albana Dedaj: Në 1 nëntor kam marrë urdhër mbrojtjeje.
Anila Hoxha: E dije si merrej urdhri i mbrojtjes?
Albana Dedaj: Jo nuk i kam ditur këto gjëra. E kam bërë me shkrim, me kërkesë.
Anila Hoxha: Cila ka qenë marrëdhënie juaj me bashkëshortin?
Albana Dedaj: Ai për të punuar ka punuar jashtë mase. Kur pinte nuk donte të dinte as në ka grua, as në ka fëmijë. Kur ishte i papirë donte të harronte gjithë ato që kishte bërë një ditë para.
Anila Hoxha: Si u njohe me bashkëshortin?
Albana Dedaj: Jo nuk e kam njohur vetë. Më ka njohur të tjerët me të.
Anila Hoxha: Kur e kuptove ti që bashkëshorti ishte i dhunshëm?
Albana Dedaj: E kam ditur që në fillim. Nuk i kam bërë tre ditë martesë kur jemi kapur për punë telefoni.
Anila Hoxha: Pra të kontrollonte?
Albana Dedaj: Po, vetëm se çfarë thoshte ai. Po nuk ia hapa telefonin në momentin e parë kur ai i binte ziles, unë e shikoja veten që kur të shkoj në shtëpi vetëm luftë do kem me të. Ku ta di thonte se je në shtepi dhe jam çuar Anilë dhe janë mpirë këmbët dhe i kam rënë sharkisë sepse thoshte nuk je në shtëpi. Ti e di që unë të dua fort thoshte. Unë ti bëj këto gjëra. Një kohë ia nisi me këto. Në fillim nuk mbeta shtatzanë. Dhe aty filluan grindjet se thoshte Zoti e di se çfarë ke bërë më përpara. Mbeta shtatzanë, e merr vesh edhe më ka çuar më ka nxjerrë për drekë.
Anila Hoxha: Ti ndërkohë punoje?
Albana Dedaj: Po, edhe pasi më ka nxjerrë për drekë më ka çuar tek shtëpia kam bërë fjalë me të dhe duke hyrë në banjë ka ardhur dhe më ka shtyrë biles në banjë dhe jam rrëzuar.
Anila Hoxha: Ti kishe vendosur që nuk e ndaje do e mbaje familjen?
Albana Dedaj: Jo, unë i kam pas thënë që edhe nesër nëse ndahem me ty, unë sa të kem shpirtin e gjallë, burrë nuk do të marr. I kam thënë jo një herë por njëzet herë në sy të vjehrrës sime. I mendova të gjitha edhe pasi u martova vonë, thashë ashtu janë të gjithë, shumica e grave kështu jetojnë. Edhe unë po jetoj me të.
Anila Hoxha: A ndryshoi kur linde djalin?
Albana Dedaj: Jo, jo nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Vetëm çfarë ka ndryshuar për keq. U çova u ndava me të. Ia tregova familjarëve të tij, ka qenë djali në çerdhe në atë kohë. Më ka marrë në telefon pas tre-katër ditësh dhe më kanë thënë nëse e ke bërë në plan të ndahesh me mua, për 24 orë të vish të heqësh të gjitha teshat çfarë ke në shtëpi. Nëna e tij më qëndronte shumë afër, shkonte e merrte djalin në çerdhe, unë shkoja me e marr dhe nuk e gjeja në çerdhe dhe i thoja edukatores pse ia ke thënë dhe thoshte: qe i pirë dhe nuk mund ta ndalonim.
Anila Hoxha: Pra ky ishte divorci që zgjati 6 muaj por nuk shkove në gjykatë?
Albana Dedaj: Jo nuk kam shkuar në gjykatë, as kam shkuar kurrkund. Vetëm kam shkuar tek nëna ime dhe në punë. Se thoshte unë s’mund të rri pa djalë. Sa u kujtova që u qetësova me shtëpi erdhi i zoti i shtëpisë dhe thotë duhet me dalë.
Albana Dedaj: Dilja të blija bukën dhe e shikoja në klub.
Anila Hoxha: Filloi të pinte alkool?
Albana Dedaj: Në fillim kur isha njohur me të nuk e pinte. Aty e mbrapa më ka ndryshuar djali totalisht. Ishte i trembur dhe nuk më kallëzonte gjërat. Në sy të djalit më ka rënë me çantë të djalit në kokë. Bëri fjalë me çunin, bëri fjalë me mua dhe i thashë “Besim, unë kështu s’mund të duroj më dhe unë i thërras policinë.”
Anila Hoxha: Çfarë numri njoftove?
Albana Dedaj: Me 129, kemi shkuar në polici, ka ardhur kunati më ka thënë “Albanë, çfarë do bëjmë”. Thashë si të jetë më e mira për ne dhe për atë. E kanë marrë prej në polici e kanë larguar, e kanë çuar në spital për mjekim alkooli.
Anila Hoxha: More urdhër mbrojtjeje?
Albana Dedaj: Jo, po edhe e pavetëdijshme sesi duhet me ta ndjekë edhe kështu. Edhe ata më qëndronin shumë afër dhe nuk ia nisa hiç. Mbas dy javësh e bënë mjekimin e alkoolit dhe më thotë kunati “Albana duhet të bëjmë çmosin se ai ka nevojë për ty dhe për djalin. Se në sado ti japim afrimitet, sado ti japim respekt, ai ka nevojë për familje”. Qëndroi një muaj. I lija lekët, i thoja dil pi kafe dhe shëtit.
Anila Hoxha: Ti ikje në punë?
Albana Dedaj: Po shkoja në punë, vija nga puna, krejt normal. Na bënte për të ngrënë. Si doni, ku doni edhe kështu.
Anila Hoxha: Gjatë kësaj kohe ti në asnjë moment nuk mendoje më që të denoncoje, të kërkoje urdhër mbrojtjeje. Vazhdoje të dhunoheshe dhe ti duroje.
Albana Dedaj: Jo unë qëndroja me të. Mirë Besim, po Besim. Mirë Besim, po Besim. Kur bënim fjalë, ikja dhe qëndroja tek nëna ime dhe ashtu e kisha bërë llogarinë. Çdo mëngjes më merrte vjehrra ime në telefon kur e dinte se kisha bërë fjalë me të. Vetëm duke i bërtit djalit tha ne a e kishim lënë si burrat me u bë bashkë për të shkuar për të blerë gjëra dhe i ra me të dyja duart në të dyja anët e faqeve dhe unë nuk e shkëputa telefonin, veç i thashë pse nuk i kallëzon babit, mam se ke qënë pas sportit, thashë se kjo video këtu në Spanjë shkon, tek vëllezërit e këtij. Në moment e kam shkëputur videon, kam shkuar e kam kapur djalin dhe e kam marrë telefonin dhe njeriut të parë ia kam çuar vjehrrës time. I jam me kërkue falje sepse mua më ka dashtë jo vetëm ajo, por gjithë familja si më i madhi deri tek më i vogli. Jam borxhlie ndaj tyre.
Anila Hoxha: Pra ndodhi një akt dhune. Ty nuk të shkoi ndërmend as të telefonosh policinë, vendose sërisht të durosh.
Albana Dedaj: Jo lajmërova familjen e atij. Si po bëjmë por nuk kishte asnjë për me thënë do ta çojmë në polici. Se na u dhimbte edhe si njeri. Ndërkohë tjetër kunat që ishte këtu u merrej me të dhe i thoshte jo ju doni me më ik robtë duarsh, se unë i dua, unë pa ata nuk kam jetë. Ashtu i kanë thënë edhe avokatëve të vet.
Anila Hoxha: Ti qëndrove, prapëseprapë?
Albana Dedaj: Ndejta. Atë kohë vinte i pirë. Bënte fjalë. Djali nuk u afrohej më me të. Vetëm sa vinte, sa me marr libra, me pa libra kështu dhe i thoja “more Besim a të vjen mbarë, djalin e kam më të gjatë se vetja se është i rritur shumë, djali tjetër. A të vjen mbarë I thoja të të marrin dy djemtë për krahu më të sjellë brenda. Në datën 30 gusht ka ikur djali për në Francë, djali tjetër. Më 30 gusht e ka marrë djalin e vogël dhe i ka thënë hajde në Laprakë dhe merrëm se unë nuk mund të vij tek shtëpia.
Anila Hoxha: Çfarë ndodhi?
Albana Dedaj: Hajde dhe merreni iu thashë se shikojeni se ku është. Ne po shkojmë tek shtëpia iu thashë. Erdhëm unë dhe djali tek shtëpia. Erdhën ata, e sollën me makinë, kishte shkuar motra e vet dhe i kishtë folur. Pa hyrë burri brenda vjen dhëndri dhe më thotë “Albanë merre djalin dhe hajde tek nëna jote. I thashë a është e drejtë. Sa herë të pi Besimi, sa herë të bëj fjalë Besimi me shku tek nëna?”
Jam ngritur, pa folur hiç me të, as e kam parë hiç. Kam marrë djalin për dore dhe kam shkuar tek nëna ime. Më 31 në mëngjes kam ardh në shtëpi. E kam gjetur këtu. Kam thënë Besim, kështu nuk e shtyj më jetën. Mos me e pas nënën ku kisha ndenjur mbrëmë. Unë rrugëve nuk mund të qëndroj më. Ti që je fajtor për të gjitha gjërat, ti me ma lëshue shtëpinë. Unë nuk mundem me e shty tjetër kështu. Nesër fillon data 1 shtator, shtëpia është paguar. Për këtë vit që ka shkuar dhe unë nesër do nis një jetë tjetër me djalin tim. Debat pas debatit, një për që kisha bërë letrat e policisë që kishte qenë më përpara. Në atë kohë është çuar, ka marrë një çantë me dy tre rroba dhe është nisur me dalë. Kur ka dalë tek porta ka futur çelësat me hap portën. I kam thënë Besim, çelësa nuk ke më, asnjë derë mos më thuaj më sa të jesh gjallë. Ky nisi atëhërë dhe e avit portën për me më ra dhe i kam thënë “Besim ashtu është puna dhe kam hyrë direkt brenda menjëherë dhe kam marrë policinë. Se djali nuk ishte këtu. Thashë mam, ne jemi nisur për në polici. Merre biçikletën dhe hajde tek policia “ky nuk e dinte se ku është policia. Kur ka parë një makinë policie aty në Don Bosko, vetëm mori dhe më tha “Mam të kam parë dhe jam pas jush”. Kemi shkuar në polici. Kur kam shkuar në polici i kam thënë djalit “Ku je mam?” Tha unë jam në qendër, por tek cila polici je? Jam duke dalë me marrë djalin, thashë, sepse ju nuk më dëgjuat me ma marrë dhe nuk e di se ku ka ngatërruar rrugën. Vetëm dua të dal ta shikoj. Kena marrë djalin dhe kemi shkuar në polici, kemi ndenjur aty. Ka ardh një polic dhe më ka thënë ku të ka ra? Pse? A duhet me kenë e thyeme për me ardh këtu? Me besu ju? Në atë kohë është çuar djali prej stoli dhe i ka thënë më ka rrahur edhe mua babi.
Anila Hoxha: Të thanë që duhet të merrje urdhër mbrojtjeje?
Albana Dedaj: Po në datën 3 shtator kam shkuar së bashku me djalin në orën 12:30 e kam patur urdhërin e mbrojtjes.
Anila Hoxha: Çfarë ndodhi me bashkëshortin? U arrestua?
Albana Dedaj: Po. Nuk e kam takuar asnjëherë në burg. Më ka kërkuar ta takoj.
Anila Hoxha: U dënua?
Albana Dedaj: Po, më datën 24 dhjetor ka marrë dënimin. Një vit. Ka hyrë në datën 1 shtator 2022 dhe ka dalë në 25 korrik 2023.
Anila Hoxha: Ti ndërkohë jetoje në shtëpi pa urdhër mbrojtjeje. Kishe frikë?
Albana Dedaj: Jo nuk kam patur frikë. Doli nga burgu, i kam çuar për të ngrënë, i kam çuar gjërat. Ka shkuar djali, e ka takuar në burg.
Megjithëse Mekanizmi i Koordinuar i Referimit përfshin një sërë institucionesh që adresojnë dhunën në familje dhe me bazë gjinore, Albana e cila mbijetoi vetëm nga rastësia, nuk fitoi as mbështetje ekonomike. As strehim social. Nga muaji nëntor kur bashkëshorti i saj u arrestua për herë të dytë për dhunë në familje, vec dy numrave pa pagesë 112 dhe 129, gruaja nuk disponon asnjë informacion tjetër. Aktualisht ajo është me urdhër mbrojtje nga gjykata.
Albana Dedaj: Më kishte thënë më përpara që po më fute në burg nuk kemi jetë bashkë. I bëri, s’kisha ku të shkoja. Dilja nga shtëpia dhe ecja në njërën anë të rrugës. Se thoja edhe nëse vjen me makinë të më përplasë biles të kem ku të mbështetem diku. Atë natë ai, kishte nxënë vend në atë drejtim që kaloja rrugën unë. Kishte parkuar makinën, ka dalë shumë i qetë nga makine dhe ka ardhur drejt meje sa kam kaluar unë rrugën dhe dalë krahun tjetër po ka ardh krejt i qetë, mirëmëngjes tha moj bukuroshe. Nuk mendova asnjë gjë, se thashë më mirë me ik po më rrëzon dhe po më bën ndonjë gjë të rrëzueme. Thashë më mirë po i ndalem. Vetëm ia kam parë në dorë një shishe dhe më ka kap për krahu me dorën tjetër që kishte çakmak. Mos kujtove se me erdhi keq tha. Duke fol, ka nxjerrë benzinën në trup. E kam kapur shishen në dorë. E kam ndalë benzinën i kam thënë Besim. Ai e ka ditur se çfarë është duke bërë. Tha: “Unë jam i mbarur, veç tani do biesh edhe ti me mua.” edhe ia ka kthyer vetes. Kam tentuar me e heq dorën që ma kishte kapur krahun. Kam ikur atëherë me vrap duke e parë mbrapa. Kur e pashë që nuk ishte asgjëkundi u qetësova pak, thashë të marr veten dhe eca më normal sa arrita në fabrikë tjetër. Vetëm kur vjen një zë dhe tha: të rren mendja kot, se asht kështu. Kur jam kthye e kam parë duke i dhënë makinën. Thashë mirë o Besim, vec kaq i kam thënë. Çfarë të thuash ti bëhet. Thashë nëse merr kthesën dhe vjen të më ndalojë po hyj tek klubi dhe po kërkoj ndihmë. Ky nuk ka marrë kthesën, vetëm ka shtie më shumë marsh makinë dhe ka shkuar përplas me klubin. Unë jam kthyer për mbrapa makinës së tij dhe kam ikur tek puna. Kam shkuar tek puna. I kam gjetur të gjitha gratë pa filluar ende punë. Të gjitha gratë u çuan dhe thanë çfarë është kjo erë benzinë, uuu na mbyti. Ishte mëngjes. Kam shkuar afër banjës. Kam hequr të gjitha rrobat. Kam veshur përparësen e punës. Unë i mora të gjitha rrobat që i pata veshur, i vendosa në një qese dhe i çova në fund të të gjithë repartit tek dhoma e keqe që të mos mi shikojë asnjë. Nuk i kam thënë askujt, pasi kam marrë përjashta vjehrrën. Në orën 8 kam marrë avokatin e Besimit dhe i kam thënë. Më tha nuk ke më çfarë të më thuash vetëm me i thënë policisë. Mora policinë jam e lyer me benzinë dhe ai është i lyer me benzinë se ka dashtë me na djegë të dyve bashkë. Tha ti je e kërcënuar me jetë dhe je prapë tek vendi i punës. I thashë që jam tek vendi i punës, se nuk e di nëse ka shpëtuar apo jo. A mund të vish tek vendi i punës dhe me më marrë mua.
Nuk jemi taksist tha, por jemi policë. Po pate mundësi tha merr një taksi ose një linjë urbane dhe hajde tek policia. I mora rrobat me vete i them përgjegjëses nuk e di a të kthehem mbrapsht. Kam shkuar tek policia dhe më tha çfarë problemi ke. I thashë që jam e lyer me benzinë se më ka lyer bashkëshorti. Hajde me mua tha, nuk më ka lënë asnjë sekondë tek vendi i policisë dhe ma ka shtie në një vend në vete dhe më ka çuar në kat të dytë.
Anila Hoxha: Kur telefonove policinë, telefonove 129? 129 të tha që nuk jemi taksi?
Albana Dedaj: Po, ata më thanë që nuk jemi taksi. Se e dija veten se thoja po të ketë shpëtuar ai, ose më ruan tek dera e punës kur të dal.
Anila Hoxha: Nuk erdhën?
Albana Dedaj: Jo, jo.
Anila Hoxha: Iu tregove që ishe me rrobat me benzinë dhe ata nuk erdhën?
Albana Dedaj: Jo, nuk erdhën.
Anila Hoxha: Shërbimet sociale, psikologë për ty dhe për djalin?
Albana Dedaj: As psikologë, as na ka marrë njëri në pyetje. Vetëm pardje kam qenë tek gjendja civile, më ka marrë një punëtore e gjendjes civile e njësisë 11 dhe më ka thënë Albanë duhet me u paraqit këtu për atë urdhër mbrojtjeje që ke.
Anila Hoxha: Ti e di se cilat janë të drejtat e tua, ku të shkosh, ku të kërkosh ndihmë. Të ka lënë një numër telefoni. Ndihesh e mbrojtur?
Albana Dedaj: E mbrojtur ndihem prej Zotit se tjetërkush smë ka ardhur në ndihmë deri tani. As më ka marrë kush në telefon, përjashto atë të gjendjes civile dhe me ngjarjen që më ka ndodhur së pari nuk më ka ardh kush tek dera me më thënë për çfarë ke nevojë.
Anila Hoxha: Çfarë do bësh ti pas këtij momenti?
Albana Dedaj: Vetëm për këtë djalë do të jetoj. Vetëm të kem jetën e sigurtë me këtë djalë. Dhe me ec përpara. Një jetë ka një njeri. Vija në shtëpi dhe nuk e dija gjë si do e gjejë bashkëshortin.