Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pronave në Velipojë të biznesmenit Pëllumb Gjoka!
Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi sekuestron e pronave të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar pjesë e një grupi kriminal pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.
Biznesmenit Pëllumb Gjoka, i shpallur edhe investitor strategjik, i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkese të SPAK, por Apeli i GJKKO rrëzoi ankimin e tij.
Sipas SPAK, dyshohet se këto sipërfaqe toke janë përfituar me anë të falsifikimit.
Pasuritë e vendosura në sekuestro preventive
1-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtare.
2-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare.
3-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit Kolë Gjoka
Dosja Metamorfoza
Më 27 korrik 2023 ranë në pranga 6 persona dhe 9 të tjerë u shpallën në kërkim për dosjen ‘Metamorfoza’, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj. Akuzohen për një vrasje, pesë tentativa vrasje si dhe grup kriminal e korrupsion. Për veprën e fundit, akuzohen ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe ish-zyrtari i policisë Oltion Bistri, të cilët kundrejt përfitimeve monetare bashkëpunonin me anëtarët e grupit kriminal. Hetimet nisën në vitin 2019 pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze që zbardhën komunikimet mes anëtarëve të grupit në rrjetet Enchro Chat dhe Sky.
Në këto mesazhe, biznesmeni Pëllumb Gjoka ka kërkuar që Behar Bajri të kryente vrasjen e Klenthi Musabelliut, ish punonjës i policisë së burgjeve, duke ofruar 120 mijë euro. Bajri ka komunikuar me Ervis Martinaj duke kanë shkëmbyer objektivët. Behar Bajri dhe Denis Borrici ekzekutuan Gjin Boriçin me porosi të Martinajt dhe ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun vrasje e cila nuk u realizua.