Mbrojtja Civile paralajmëron qytetarët për nesër: Ja zonat që duhet të kenë kujdes
Nesër pritet të ketë reshje intensive shiu në të gjithë vendin. Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave reshjet do të jenë të përqendruara dhe me intensitet më të lartë në veri dhe në jug të territorit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Për rrjedhojë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen problem me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
• Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht deri shumë intensive.
• Në qarqet Dibër, Lezhë priten reshje intensive dhe në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
• Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet.
Në verilindje-lindje në lartësinë mbi 400 metra dhe në lartësinë mbi 800-900 metra në lindje-juglindje reshjet priten të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët deri mesatar.