Për veshje, shqiptarët shpenzojnë më shumë se mesatarja europiane në raport me buxhetin total/Por, më pak se të gjithë në vlerë!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Për veshje, shqiptarët shpenzojnë më shumë se mesatarja europiane në raport me buxhetin total/Por, më pak se të gjithë në vlerë!

Ndonëse jemi një vend nga më të varfrit në Europë dhe mbajmë rekord për shpenzimet për ushqime në raport me totalin e buxhetit, familjet shqiptare nuk kursehen kur bëhet fjalë për t’u veshur, duke hequr ndoshta dorë dhe nga nevoja të tjera më të domosdoshme.

Të dhënat e INSTAT-it bëjnë të ditur se vitin e kaluar, familjet shqiptare shpenzuan 5% të totalit për veshje e këpucë. Kjo peshë është më e lartë se mesatarja europiane prej 4.3% po për të njëjtin vit, sipas të dhënave të Eurostat-it.

Në total, nga 38 shtete, Shqipëria renditet e 15-a, duke lënë pas vende si Gjermania, Suedia, Finlanda, etj. Në rajon, vendi është i dyti, së bashku me Malin e Zi, me nga 5%, pas Bosnjë Hercegovinës që mban rekordin me 5.4%. Për shtetet e tjera, treguesi është më i ulët, me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që e kishin këtë peshë nga 4.3% secila.

Në Europë, rekordin e mban Turqia, me 7% të totalit të shpenzimeve që shkon për veshje, e ndjekur nga Rumania (6.3%) dhe Estonia (5.9%). Nuk kishte si të mungonte as Italia, që mbahet për kryeqendrën e modës, me 5.5% të totalit.

Qytetarët më të pa interesuar për veshjet e këpucët jetojnë në një nga shtete më të pasura, Zvicrën dhe shpenzojnë vetëm 2.3% të totalit të buxhetit. Indiferentë janë dhe hungarezët, me 3% e francezët me 3.3%.

Ndonëse në peshë ndaj shpenzimeve totale duket se familjet shqiptare nuk kursehen, në vlerë harxhojnë shumë pak për të blerë veshje, për shkak të buxhetit total të ulët që kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha nevojat.

Të dhënat e Eurostat-it bëjnë të ditur se shpenzimet për frymë për veshje e këpucë ishin 140 euro në vit (për 2020-ën, të dhënat e fundit të disponueshme), nga 620 euro që e kishte një europian për të njëjtin vit. Shpenzimi në vlerë është më i ulëti në Europë dhe rreth 4 herë më i ulët se mesatarja europiane. Për krahasim, një italian shpenzon për veshje rreth 840-1,100 euro në vit.

Në nivele të ngjashme është Maqedonia e Veriut, me 150 euro për frymë. Serbët, ndonëse kanë peshë më të ulët, kanë buxhet më të lartë në vlerë në 190 euro më 2020-ën, por që ka arritur në 260 euro më 2022-shin.

Në vlerë, rekordin e mbajnë danezët, irlandezët, italianët, austriakët, me më shumë se 1,100 euro për frymë në vit./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65730 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE