Shqipëria feston sot 111 vite Pavarësi! Për herë të parë zhvillohet ‘Parada e shqiptarëve’
Shqipëria feston sot 111 vite Pavarësi!
111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e shtetit shqiptar.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali – kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri – Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova – Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani -Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla -Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga -Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi – Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri -Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale- Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi -Ministër i Post-Telegrafit.
Këtë 28 nëntor, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët shqiptare”, Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës dhe Arkivin e Shtetit sjellin për herë të parë në Tiranë “Paradën e Shqiptarëve”, nën emrin “Rrënjët Kuq e Zi.
E frymëzuar nga iniciativa një grupi të rinjsh të diasporës shqiptare, parada Shqiptare është një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga organizata “Rrënjët Shqiptare”, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e saj në këto 15 vitet e fundit, ku një nga sheshet kryesore të New York-ut vishet kuq e zi.
Parada të fillojë në orën 11:00.
Parakalimi fillon nga sheshi “Nënë Tereza”, si pika e grumbullimit, për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”. Aty do të jetë ngritja ceremoniale e flamurit.Ky aktivitet, do të zërë vend për herë të parë edhe në Tiranë, për të shënuar fillimin e një tradite të përvitshme.