Ish-kreu i Google: Inteligjenca artificiale bëhet rrezik për njerëzimin për 5 vjet!
Ish-drejtori i grupit Google, Eric Schmidt ka thënë se aftësitë e inteligjencës artificiale mund të nisin të punojnë kundër njerëzimit brenda pesë ose dhjetë viteve, dhe çuditërisht kompanitë nuk po bëjnë asgjë për të ndaluar që kjo të ndodhë.
Në një intervistë në samitin Axios’ AI+ Summit, Schmidt krahasonte zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI) me armët bërthamore në Luftën e Dytë Botërore.
Ai tha se pas Nagasaki e Hiroshima, u deshën 18 vjet për traktatin e ndalimit të testeve bërthamore “ndërsa sot situata mund të jetë e ngjashme me AI.”
Ai shtoi se rreziku vjen kur “kompjuterët nisin të marrin vetë vendimet për të bërë gjëra”, siç është zbulimi ose përdorimi i armëve.
Schmidt shtoi se më parë studiuesit thonin se ky rrezik nga kjo teknologji mund të vinte për rreth 20 vjet. Por tashmë ekspertët thonë se rreziku shkatërrimtar për njeriun është vetëm disa vjet larg.
Ai sugjeroi krijimin e një enti global si ai i krijuar për “ndryshimet klimatike” për t’i dhënë informacionin e saktë politika-bërësve.
Megjithë paralajmërimet ish-kreu i Google tha se AI mund të jetë një mjet i dobishëm për njerëzimin. “Unë nuk mund të them se një doktor apo një mësues me AI është diçka negative negative,” tha ai për rrjetin Axios.