Projektligji i amnistisë, ja kush përfiton zbritje të dënimit!
Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Kryeministri versionin përfundimtar të Amnistisë, ku janë reflektuar dhe rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Në versionin përfundimtar preken vendimet deri në datë 30.11.2023, duke e përafruar numrin e përfituesve në rreth 620 të dënuar.
Sipas projektligjit për amnistinë përjashtohen nga vuajtja e dënimit: burrat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
gratë e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
burrat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet; gratë e dënuara me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; burrat të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç dhe gratë të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç dhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Nuk përfitojnë zbritje të dënimit personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal; personat e dënuar me burgim të përjetshëm; personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.