Raporti vjetor i DASH-it për Terrorizmin, ja konkluzioni për Shqipërinë!
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për terrorizmin ku analizohen edhe përpjekjet e Shqipërisë për të patur një drejtësi të re. Pavarësisht përpjekjeve të vendit tonë për reformimin e drejtësisë dhe ngritjen e organeve të reja, në këtë dokument, DASH-i shpreh rezerva dhe jep këtë konkluzion:
Korrupsioni dhe barrierat në ndarjen e informacionit mes agjencive shtetërore, pamjaftueshmëria e koordinimit mes agjencive përfshirë një sistem drejtësie të dobët, vijuan të pengojnë përpjekjet e agjencive ligjzbatuese në të gjitha nivelet, edhe të atyre që merren me luftën ndaj terrorizmit. Zbatimi reformave të thella vijoi. Vetting-u i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar është plotësuar në 75%.
Në këtë raport, vlerësohen përpjekjet e Shqipërisë në kthimin e 38 grave dhe fëmijëve nga kampi Al-Houl në Siri.
Por, kërcënim për Shqipërinë janë organizatat e huaja terroriste dhe përpjekjet e tyre për radikalizimin e dhunshëm tek të rinjtë.
Për Kosovën, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se vitin e kaluar, institucionet e drejtësisë vazhduan të jepnin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin e shton se pati edhe lirime të parakohshme për këto akuza. Në raportin për Terrorizmin për Shtetet, sa i përket Kosovës, thuhet se më 2022-shin, Prishtina vazhdoi të riatdhesonte shtetasit e saj nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri.
Operacioni i tretë i riatdhesimit në maj, u krye në bashkëpunim me Shqipërinë dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.
Deri tani, Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, si edhe në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar.
Sipas SHBA-ve, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë shënjestra potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.
Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e SHBA-ve. Edhe pse u dënua me dy vjet burg për shkak se iu bashkua ISIS-it, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmë burgim për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të ISIS-it.
Në raportin e DASH-it përmendet edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues. U dyshuan se tentuan të krijonin struktura organizative për të kryer sulme terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një përfaqësues të lartë të Shtetit Islamik.