Vrasja e Liridona Murselit, bashkëshorti kishte dhënë 15 mijë euro paradhënie, e ndihmoi edhe nipi…

vovalbania December 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vrasja e Liridona Murselit, bashkëshorti kishte dhënë 15 mijë euro paradhënie, e ndihmoi edhe nipi…

Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar pistoletën që u përdor për vrasjen e Liridona Murselit, 10 fishekë dhe automjetin në të cilën e vranë ekzekutorët.

Rasti është referuar në prokurori si “vrasje e rëndë”, ndërsa deri më tani janë arrestuar tre persona, mes tyre bashkëshorti i viktimës, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij, ndërsa sikurse shkruan gazeta Express, 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen, ndërsa edhe ky i fundit raportohet ta ketë pranuar fajësinë.

Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për rastin ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Ajo tha se Murseli ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë, duke thënë se kishte rënë pre e një grabitjeje.

Sipas Gazeta Express, Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019. Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, pasi brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar për të konfirmuar divorcin. Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.

Si ndodhi ngjarja?

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, bazuar në rrëfimin e Naim Murselit. Policia tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Por me arrestimin e bashkëshortit të viktimës, ngjarja merr kthesë të madhe…

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65761 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE