Atentat mafioz në Lezhë, ekzekutohet Entjan Nikulaj, kushëriri i Ardian Nikulajt!
Të shtëna me armë zjarri në Lezhë ku në një atentat mafioz u ekzekutua me kallashnikov Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Ngjarja ndodhi përballë Ujësjellësit, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”. Në rrethana ende të paqarta, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga 40 vjeçari Nikulaj.
Policia e Shtetit njofton se fillimisht mbeti i plagosur dhe u transportua në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Lezhës, për ndihmë urgjente mjekësore, por nuk ka mundur t’iu mbijetonte plagëve të shumta. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje kriminale u ngrit një grup i posaçëm hetimor, si dhe pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Paralelisht u kryen edhe kontrolle intensive të zonës.
Burime për Top Channel bënë të ditur se një makinë e djegur u gjet në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, disa minuta pas vrasjes së Nikulajt.
Ende nuk dihen motivet e vrasjes, por u mësua se viktima është djali i xhaxhait të biznesmenit Ardian Nikulaj, i ekzekutuar më 19 prill të këtij viti brenda lokalit të tij në Shëngjin. Nga hetimet u zbulua se u qëllua nga portugezi Ruben Saraiva, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit. Shtetasi Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit.
Ekzekutimi i biznesmenit u pasua nga të tjera ngjarje kriminale në Lezhë. Një vrasje që dyshohet se kishte si motiv hakmarrjen për vrasjen e Ardian Nikulajt ishte eliminimi i Nikolin Marku Lekstakës. 42-vjeçari, baba i tre fëmijëve, u vra nga persona të paidentifikuar teksa po dilte nga një market në Balldre me një pije freskuese në dorë, në korrik të këtij viti. Banorët treguan se kanë dëgjuar xhirime të forta të gomave të një automjeti në momentin që ndodhi vrasja, ndërsa mësohet se automjeti i përdorur nga autorët ishte i errët, me xhama të zinj.