Nga Naim Murseli te avokati i tij, ja çfarë deklaruan ata sot
Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj.
Nga vendimi i gjykatës mësohet se Naim Murseli po dyshohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Granit Plava për vrasje të rëndë kurse Kushtrim Kokalla po dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.
Seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim u mbajt sot ku u deklarua edhe i dyshuari Murseli dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti.
Murseli tha se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë” – thuhet se ka thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.
Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.
“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bërë”- ka thënë avokati Ahmeti.
Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative.
Vendimi për caktimin e paraburgimit është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti.