Prishtinë, përfundoi seanca me dyer të mbyllura ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës!
Vrasja tronditëse e Liridona Murselit më 29 nëntor, e inskenuar si grabitje, sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës u mbajt një seancë për tre të dyshuar, përfshirë bashkëshortin e saj, Naim Murseli, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit. 32-vjeçari u arrestua bashkë me dy persona, njëri prej tyre, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ende nuk dihen masat e sigurisë për të akuzuarit.
Në afërsi të gjykatës u panë familjarë të Liridonës, por ata nuk u lejuan që të marrin pjesë në seancën e sotme. Vëllai i viktimës, shtetasi Leonard Ademaj deklaroi se u njoftua që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës. Po ashtu, ai konfirmoi se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës, që të prehet pranë varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.
Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu!
Ademaj tha se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast. Ndërkaq, në hyrje të godinës së Gjykatës Themelore të Prishtinës u zhvillua një protestë ku katër aktiviste shpalosën një banderolë me mbishkrimin: “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.
Vrasja e Liridonës në Prishtinë ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht, nga Policia e Kosovës u raportua si “një grabitje me pasojë vdekjen”. Më pas, u mësua se pas arrestimit, i dyshuari Naim Murseli pranoi para hetuesve se porositi vrasjen e bashkëshortes, por nuk ka pranuar të tregojë motivin, që për momentin mbetet mister.
Ndërsa nuk ka zyrtarisht një motiv, po nxiten spekulime se në rast vdekjeje të Liridonës, Naimi do të pëfitonte miliona euro nga sigurimi i saj në Suedi. Por, këto janë vetëm dyshime. Familja e Naim Murselit ka emigruar që në vitin 1992 në shtetin suedez.
I dyshuari Naim Murseli i dha të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Policia e Kosovës njoftoi se ka kryer kontrolle në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja makabre e nënës së dy djemve të vegjël që ishin në makinë me të e babanë kur ndodhi sulmi i armatosur.
Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës, duke bërë thirrje për zbardhjen e rastit. Me thirrjet kundër femicidit e dhunës me bazë gjinore, nisur nga rasti i Liridonës, sot protestohet në Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë.